Është aprovuar agjenda e reformave të Kosovës nga Komisioni Europian, në kuadër të Planit të Rritjes.
Miratimi i këtyre reformave krijon mundësinë e kryerjes së pagesave të para, prej të cilave në total Kosova do të përfitojë deri në 882 milionë euro.
“Një agjendë e targetuar drejt avancimit përmbajtësor dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian”- ka shkruar zëvendëmisinistri i parë i Kosovës Besnik Bislimi përmes një postimi në Facebook më 23.10.2024.
Përveç për Kosovën, Komisioni Europian ka miratuar agjendat edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Plani i Rritjes dhe reformave, për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen më 14.10.2024 ka thënë se pesë nga gjashtë agjendat e reformave do të miratohen këtë javë dhe kjo do të thotë se pagesat prej 6 miliardë eurosh nga Plani i Rritjes mund të fillojnë të rrjedhin para fundit të këtij viti [2024].
“Kjo nuk mund të bëhej pa Procesin e Berlinit”- tha von der Leyen në konferencë për media pas Samitit të Berlinit, më 14.10.2024.
Von der Leyen tha se kur shohin nga e ardhmja “i shohin të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor si pjesë të Bashkimit Europian”.
Vendet e Bashkimit Europian i kanë miratuar më 11.10.2024 agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes, në vlerë prej 6 miliardë eurosh.
Komisioni i IPA-s (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) i BE-së dha pëlqimin për agjendat e reformave të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Serbisë.
I vetmi vend i rajonit, i cili duhet të presë ende miratimin e agjendës së tij, është Bosnje e Hercegovina, pasi që dokumenti të cilin ky vend e ka dërguar në BE, nuk ka qenë komplet dhe nuk i ka adresuar të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Europian.
Qeveria e Kosovës, më 09.10.2024, kishte miratuar Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Albin Kurti kishe thënë se kjo do t’i sjellë vendit rreth 882 milionë euro.
Kosova, siç ka thënë ai, ka negociuar me Komisionin Europian dhe ka përgatitur një agjendë serioze të reformave për katër vitet e ardhshme.