RRUFE

Kryetari i Gjilanit i kërkon ministrit Krasniqi të nisë procedurën për shpërbërjen e kuvendit të komunës

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i ka kërkuar ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, që konform përgjegjësisë ligjore të nisë procedurën për shpërbërjen e Kuvendin komunal të Gjilanit.

Si arsye, ai ka dhënë telashet me votimin e buxhetit komunal.

“Duke e parë që Kuvendi Komunal, nuk po arrin të përmbushë detyrat dhe obligimet e tij ligjore, kërkojm nga ju që duke u bazuar në Ligjin për Vetqeverisje Lokale, nenin 50 dhe pikën c, për arsye të mosvotimit të buxhetit sipas afatit ligjor, të filloni procedurën e shpërbërjes së Kuvendit Komunal” – ka njoftuar Hyseni, më 02.10.2024.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, neni 50 përcakton se Kuvendi i Komunës konsiderohet jo funksionuse mes tjerash edhe nëse nuk miraton buxhetin sipas afatit të paraparë me ligjin.

Pastaj, Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale e njofton Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e komunës. Qeveria mund ta shpërndajë kuvendin e komunës jofunksionues. Më pas, zgjedhjet e reja për kuvendin e komunës mbahen në pajtim me ligjin për zgjedhjet komunale.

Alban Hyseni i LVV-së në fillim të mandatit të tij kishte bërë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Mirëpo nga 06.06.2023 Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë ndërprerë bashkëpunimin për qeverisje në komunën e Gjilanit.

Kësisoji pa një parti opozitare, Hyseni nuk i ka votat e mjaftueshme në asamble.


Postuar

nga