RRUFE

Kurti: Ka masa të sigurisë ndaj Serbisë sepse na solli katër herë ushtrinë afër kufirit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 09.10.2024, deklaroi se Kosova nuk ka masa tregtare ndaj Serbisë, por masa të sigurisë.

Sipas tij, kjo ndodh për shkak se Serbia për dy vite e ka sjell katër herë ushtrinë afër kufirit me Kosovën.

“Kosova nuk ka masa tregtare ndaj Serbisë. Kosova ka masa të sigurisë për shkak se për dy vjet na e ka sjellë katër herë ushtrinë afër kufirit dhe për shkak se kemi konfiskuar katër herë sasi të jashtëzakonshme, enorme të armatimit, në ndërkohë që grupi terrorist i Milan Radoiçiqit mbetet i lirë në Serbi”- u shpreh Kurti.

Ai tha se nuk janë hapur të gjitha pikat kufitare pasi nuk janë marrë ende skanerët e premtuar nga Gjermania e Amerika.

“Sot është një mbledhje e CEFTA, ndërsa të hënën Samiti i Berlinit kur duhet të avancohet CEFTA, pra Tregu i Përbashkët Rajonal. Natyrisht që nuk kemi mundur ta hapim kufirin në të gjitha pikat kufitare, ndërkohë që nuk i kemi marrë ende skanerët e premtuar nga gjermanët dhe amerikanët”- tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 07.10.2024, pati njoftuar se është ndryshuar masa e sigurisë për mallrat serbe, nga “kufizim” siç ka qenë deri më tani, në “kontroll të shtuar”.

Ai paralajmëroi se kjo masë është ndryshuar deri sa të vijnë skanerët e teknologjisë së lartë.

“Sot paradite ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të Doganës [lidhur me këtë masë] … deri të na vijnë skanerët”- pati deklaruar Kurti në konferencë për media.

Kurti ka shpjeguar se kanë zgjedhur që ky kontroll i shtuar të bëhet vetëm në pikën kufitare në Merdarë, sepse sipas tij, aty është hapësira më e gjerë dhe terminali doganor është shumë afër.


Postuar

nga