Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 03.10.2024 për agjencinë AP se rajoni i Ballkanit ka gëzuar shkallën më të madhe të paqes, lirisë dhe demokracisë gjatë 25 viteve të kaluara, porse krejt kjo mund të përmbytet nëse Rusia fiton në Ukrainë ngase kjo inkurajon ekspansionin serb.
Albin Kurti i cili shërben si kryeministër i Kosovës prej vitit 2021, ka thënë se është e rëndësishme për Perëndimi që të jetë i bashkuar në përkrahje të Ukrainës derisa ajo po mbron veten kundër agresionit rus.
Në një intervistës për “The Associated Press”, Kurti ka thënë se një Rusi më e fortë do ta trimëronte Serbinë – dhe pastaj jo vetëm Kosova, por edhe Bosnja, Mali i Zi dhe “mbase Maqedonia e Veriut” do të rrezikoheshin prej atyre që i ka përshkruar si ambicie ekspansioniste serbe.
Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbesin të tensionuara dhe bisedimet e gjata trembëdhjetëvjeçare për normalizimin, të lehtësuar nga Bashkimi Europian, kanë dështuar që të shënojnë përparim, sidomos pas përleshjeve në shtatorin e vitit të kaluar ndërmjet serbëve të armatosur e të maskuar dhe Policisë së Kosovës, që lanë katër të vdekur.
Paqeruajtësit të udhëhequr nga NATO-ja, kanë rritur gjithashtu numrin e tyre përgjatë kufirit Kosovë-Serbi. “Këto 25 vjet në këtë vend, ky ka qenë një çerekshekulli me shkallën më të lartë të paqes, lirisë dhe demokracisë në Ballkan”, ka thënë Kurti. Ai ka folur në misionin diplomatik të Kosovës në Varshavë, kryeqytetin polak. Misioni do të hapej pasi Polonia dhe Kosova do të vinin marrëdhënie konsullore më 2022.
I pyetur se çfarë do të thoshte për Kosovën dhe Ballkanin më gjerësisht nëse Rusia do të fitonte në Ukrainë, Kurti ka thënë se “me Serbinë një hegjemone rajonale dhe besnike e Rusisë, këto 25 vjet paqeje, lirie dhe demokracie në Ballkan, të pashembullta në historinë tone, janë përsëri në rrezik”.
Përpjekjet serbe për të ruajtur dominimin derisa ish-Jugosllavia e shpartalluar në vitet nëntëdhjetë, shkaktoi luftërat më të shkatërrimtare në Europë pas Luftës së Dytë Botërore – së paku deri më 24 shkurt 2022 kur ndodhi invazioni rus i Ukrainës.
Kosova ishte krahinë serbe derisa fushata bombarduese e NATO-s për 78 me radhë më 1999 do t’i jepte fund luftës ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe separatistëve shqiptarë etnikë në Kosovë, ku mbetën të vdekur rreth 13 mijë persona, shumica shqiptarë etnikë, dhe detyroi forcat serbe të largoheshin nga Kosova.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe mijëra paqeruajtës ndërkombëtar ende janë në Kosovë për të ruajtur paqen me Serbinë, prej së cilës Kosova do të ndahej më 2008.
“Presidenti despotik Putin do të inkurajohej që të vazhdonte tutje me përpjekjet e tij destabilizuese, madje edhe më fort nëse ndihet i suksesshëm në Ukrainë”, ka thënë ai. “Unë përnjëmend nuk dua të besoj se teorikisht mund të fitojë. Por ta mendosh atë se mund ta fitojë luftën, është mjaft problematike”.
Kurti ka vizituar Poloninë në kohën kur shteti i Europës Qendrore po përgatitet për ta marrë kryesimin e radhës të presidencës së bllokut të BE-së me 27 anëtarë në janarin e vitit të ardhshëm. Një prej qëllimeve të tij për Kosovën është që ajo t’i bashkohet BE-së, por pesë prej anëtarëve të saj nuk e njohin madje Kosovën e pavarur – Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia.
Kurti ka vënë në pah se Spanja ka nisur sivjet t’i njohë pasaportat e Kosovës për turistët. “Pra, janë këta hapa të vegjël”, ka thënë ai. “Por, e dini, këta hapa të vegjël nuk e bëjnë hapin e madh të domosdoshëm, që është njohja”.
Kosova, ku 90 për qind e popullsisë së saj prej 1.6 milionë banorësh janë shqiptarë, mban zgjedhje parlamentare në shkurtin e ardhshëm, zgjedhje që pritet të jenë test për Kurtin, partia në pushtet e të cilit i fitoi bindshëm më 2021.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com