Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në konferencën me temën: “Paqja, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor”, foli për emigrimin e popullsisë, që sipas tij, tejkalimi vjen përmes ndërlidhjes së ekonomisë, tregut e arsimit me shtetet perëndimore.
Kryeministri Kurti tha se valët e emigrimit si dhe qëndrimi i popullsisë në një vend të vetëm nuk janë aq të dallueshme sa ishin në dy dekadat e fundit të shekullit të 20-të.
“Nga viti 2011 deri më tani, ka pasur një tkurrje të popullsisë prej 8 për qind. Në të njëjtën kohë, ka diku rreth 600 mijë pjesëtarë të diasporës që besohet se jetojnë në Kosovë gjatë një pjesë të konsiderueshme të vitit, ndërkohë që nuk janë të përfshirë në shifrat e përgjithshme të popullsisë” – tha kryeministri.
Kjo, sipas Kurtit, është për shkak të rritjes së punës nga distanca, aktiviteteve sipërmarrëse dhe arsyeve të tjera që “bashkatdhetarët në diasporë mund të jenë edhe këtu edhe atje, e jo vetëm ose këtu ose atje”- shtoi tutje ai.
Sipas kryeministrit, secili vend, pavarësisht madhësisë apo pozitës, përballet me faktin se një shtet tjetër mund t’i ofrojë dikujt ndonjë gjë që vendi i vet nuk mund t’i ofrojë.
“Secili vend – pavarësisht madhësisë apo pozitës – përballet me faktin se një shtet tjetër mund t’i ofrojë dikujt ndonjë gjë që vendi i vet nuk mund t’i ofrojë. Por detyra dhe rasti që jepet duhet të jetë frytdhënës. Duhet të zhvillohet asisoj që deri në kohën kur të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian, do të ketë raste për qytetarët që t’i shijojnë aspektet e jetës kulturore, ekonomike, akademike e me radhë të Evropës Perëndimore, përderisa vazhdojnë të jenë qytetarë dhe banorë rezidentë afatgjatë në shtetin tonë.” – tha Kurti.
“Ne po përpiqemi që jo vetëm ta bëjmë Kosovën tonë të dashur vend në të cilin qëndrojnë rinia, por edhe që kthehen bashkatdhetarët”
Kurti lidhur me emigrimin e popullsisë po ashtu theksoi se, “përshtypja e tij është që në natyrën e njeriut nuk është ta kaloj tërë jetën duke jetuar e banuar vetëm në një vend dhe as ta mplakë jetën duke e folur vetëm gjuhën amtare”.
“Njerëzit thuajse janë të bërë të flasim më shumë se një gjuhë e të jetojnë më shumë sesa një vend. Andaj, nuk është çështja veçse ku shkojmë, kur shkojmë e pse shkojmë, por edhe kur kthehemi, sa kthehemi e pse kthehemi”- ka thënë Kurti.
Ai theksoi se liberalizimi i vizave ua lejon qytetarëve që të jenë afër vendeve perëndimore dhe të kalojnë kohë në shtete ku kanë familje, miq, apo mundësi shkëmbimi profesional, por padyshim pa u zhvendosur përfundimisht.
“Ashtu siç e patëm paraparë liberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës nuk e ka rritur migrimin. Përkundrazi, ka njerëz që shkojnë veçse në mënyrë të rregullt dhe ka gjithnjë e më shumë njerëz të cilët kthehen. Me këtë rast unë bëj thirrje edhe njëherë mërgatës tonë që për dallim prej para tri dekadave kur ju thoshim kontribuoni duke sakrifikuar, tash ju themi investoni për të fituar”- ka thënë kryeministri.
Sipas tij, afrimi ekonomik me Europën padyshim që ndihmon në këtë gjë.
“Finalizimi i negociatave me shtetet e EFTA-s: Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra, krijon po ashtu mundësi për të marrë pjesë në jetën ekonomike evropiane pa u shpërngulur. Tani është detyrë e inovacionit shtetëror që ta mbështesë diasporën që do të marrë pjesë në jetën politike, ekonomike, profesionale dhe kulturore të Kosovës, pa pasur përsëri nevojë që të shpërngulet krejtësisht këtu. Ne e kemi afërsinë gjeografike me Evropën perëndimore dhe duhet ta bëjmë atë më të qasshme nga perspektiva personale e një qytetari”- tha Kurti.
Në uljen e largimit nga Kosova, sipas kryeministrit, ndikon edhe ‘ndërlidhja gjithnjë e më e afërt e edukimit me ekonominë, e arsimimit dhe aftësimit profesional me tregun e punës, e synimit që për çdo diplomë shkolle a fakulteti të ketë një vend pune”.
“Mbase e vetmja gjë më e rëndësishme në luftimin e migrimit sesa ekonomia dhe arsimi është ndërlidhja midis ekonomisë dhe arsimit”- ka shtuar tutje Kurti.