RRUFE

Kurti takohet me drejtorin politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar më 17.10.2024 me drejtorin politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Gunter Sautter.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, në takim ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në njoftim të ZKM-së u tha se Kurti falënderoi drejtorin Sautter për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën dhe mbështetjen diplomatike, ushtarake dhe ekonomike të Gjermanisë, e cila u tha se ka qenë thelbësore për çlirimin, pavarësimin dhe ndërtimin e zhvillimin e vendit.

“U bisedua për rezultatet e Procesit të Berlinit, përfshirë gjashtë takimet ministeriale, dhe vlerësuam si arritje të rëndësishme marrëveshjen e re për Qasjen në Arsimin e Lartë dhe Deklaratën për Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) 2025–2028” – u theksua tutje.

Gjithashtu u njoftua se gjatë takimit u diskutua për forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për bashkëpunimin rajonal, dialogun në Bruksel dhe integrimet euro-atlantike.

Kryeministri po ashtu e uroi Sautter për pozitën e re në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe i ofroi bashkëpunimin e plotë në avancimin e agjendës së përbashkët në mbrojtjen dhe avancimin e demokracisë dhe lirive themelore.


Postuar

nga