RRUFE

Kurti takohet me Scholz, kërkon mbështetjen e Gjermanisë për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 14.10.2024 është takuar me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, pas sesioneve dhe punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti kërkoi nga Scholz që të mbështesë largimin e masave të BE-së.

“Nga ai dhe Gjermania kryeministri Kurti kërkoi që të mbështesë largimin e masave të BE-së, gjë që tashmë është kërkuar edhe nga vetë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell. Kurti gjithashtu kërkoi nga kancelari Scholz mbështetjen në adresimin e çështjes së hapësirës ajrore të Serbisë e cila mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt dhe nga Kosova tash e 25 vjet, duke shkaktuar kështu si dëme financiare kompanive të fluturimeve ashtu edhe ndotje të mjedisit për shkak të zgjatjes së fluturimeve për dhe nga Kosova”- thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Kurti theksoi përkushtimin e tij dhe të Kosovës për bashkëpunim rajonal dhe mbështetjen e plotë për Procesin e Berlinit dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të tij, përfshirë këto që u nënshkruan sot.

“Sa i përket raporteve me Serbinë dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga Brukseli, kryeministri tha se nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike, dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiqit por edhe i grupit të tij për të cilin tashmë ka aktakuzë nga prokuroria e shtetit, dhe tërheqja e letrës së Serbisë në të cilën shpreh rezervat për Marrëveshjen Bazike janë themelore dhe dëshmi e vullnetit të mirë e mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të Marrëveshjes dhe Aneksit të zbatimit”- thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, Kurti e falënderoi kancelarin Scholz për mikpritjen dhe e përgëzoi për samitin e suksesshëm të cilit i paraprinë gjashtë ministeriale dhe zhbllokimi në CEFTA, ku tani Kosova përfaqësohet nga institucionet e saj në vend të UNMIK-ut.

Në këtë takim Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Gjatë Samitit të Berlinit gjashtë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar, ndër të tjera, një plan të ri të veprimit për tregun e përbashkët rajonal (CRM) për periudhën 2025-2028, dhe një marrëveshje të re të mobilitetit, që mundëson qasje të barabartë për studentët e rajonit në institucione të akredituara të arsimit të lartë.

https://kallxo.com/lajm/cka-permbajne-marreveshjet-e-reja-qe-u-nenshkruan-ne-berlin/


Postuar

nga