Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka reaguar lidhur me rastet e lëndimit të nxënësve si pasojë e ndikimit nga platforma “TikTok”.
Sipas njoftimit, MASHTI u është drejtuar më 14.10.2024 të gjitha komunave të Kosovës përmes një shkrese për t’ua rikujtuar domosdoshmërinë për zbatimin të politikave të mbrojtjes së fëmijës.
“Në linjë me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, është hartuar edhe Politika për Mbrojtjen e Fëmijës në Arsimin Parauniversitar, e cila ka për qëllim krijimin e një mjedisi të sigurtë për të gjithë fëmijët dhe të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar publik dhe privat në Kosovë, duke vendosur parime dhe rregulla, të cilat duhet respektuar denjësisht. MAShTI ka kërkuar që ky dokument të ndahet me të gjithë drejtorët e shkollave, me sygjerimin që t`i kalohet stafit të institucioneve edukative dhe arsimore për ta lexuar, mirëkuptuar dhe nënshkruar deklaratën e saj”- thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se aktualisht stafi i MASHTI është duke i mbajtur seancat informuese me komuna në lidhje me këtë dokument.
“Deri tani janë realizuar seancat në: Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Klinë, Prishtinë, dhe do të vazhdohen këto ditë edhe në komunat: Lipjan; Shtime, Fushë Kosovë, Graçanicë, Obiliq, Kamenicë, Rahovec, Suharekë, Vushtrri, Istog, deri sa t`i mbulojmë të gjitha, përfshirë edhe me tryeza të përbashkëta”- thuhet tutje.
Tutje, MASHTI ka thënë se mbi këto tema (konteksti i edukimit), kërkohet qasje proaktive nga i gjithë stafi edukativ-arsimor, si në parandalim, identifikim, ashtu edhe në raportim e referim të rasteve në nevojë për t’u mbrojtur dhe trajtuar.
“Ministria e Arsimit, po ashtu ka organizuar në vazhdimësi fushata ndërgjegjësuese për sigurinë në internet, me qëllim që shkollat të promovojnë përdorimin e sigurt të internetit (me kërkesën e MAShTI, çdo vit shënohet Dita për internet të sigurt me aktivitete të larmishme ndërgjegjësuese)”- thuhet në komunikatë.
Dyshohet se tetë nxënës të një shkolle fillore të mesme të ulët në një fshat të komunës së Kamenicës më 11.10.2024 kanë tentuar ta lëndojnë njëri-tjetrin, duke u ndikuar nga një lojë e rrezikshme në “TikTok”.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Arsimit në Kamenicë, Afrim Dervishi.
Nxënësit në Kamenicë, sipas tij, kanë rrezikuar veten dhe njëri-tjetrin duke u bazuar në videot e shfaqura në “TikTok”.
Të martën, më 08.10.2024, Gjakova e nisi ditën me njoftimin se drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Eranda Kumnova-Baçi i ka raportuar në Polici tri nxënëse se janë vetëlënduar.
Në fund të ditës së martë dolën edhe 10 raste të tjera të nxënëseve të klasave 6 deri në 9, duke e ngritur numrin në 13 raste të nxënëseve që i kanë lënduar duart me mjete të mprehta.
E numri i të lënduarave në shkollat e komunës së Gjakovës shkoi në 19.