Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) nuk do ta përkrahë “Peticionin për shpëtimin e arsimit para universitar” që e nënshkruan mbi 12,000 qytetarë.
Në anën tjetër, nga organizatat e shoqërisë civile që nisën këtë peticion bëjnë thirrje që të mos ketë paragjykim ndaj tyre dhe kanë ftuar SBAShK-un në biseda për t’i diskutuar hapat e ardhshëm drejt realizimit të pikave të përbashkëta.
“Peticioni për shpëtimin e Arsimit Parauniversitar” u organizua nga 14 organizata të shoqërisë civile dhe përmban tri kërkesa, përmes të cilave synohet reforma në arsimin parauniversitar: Të bëhet riorganizimi i shkollave me më pak se 60 nxënës, t’u ofrohet pensionimi vullnetar i parakohshëm arsimtarëve të moshës 55-64 vjeç dhe të bëhet vlerësimi vjetor i aftësive dhe njohurive të mësimdhënësve.
Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për KALLXO.com tha se e përshëndesin çdo iniciativë që ka të bëjë me arsimin, por aty-këtu mund të kenë vërejtje dhe ka plotësuar secilën kërkesë të peticionit me çka mendon se i mungon.
Edhe pse e konsideroi kërkesë të qëlluar, kryetari Jasharaj kërkoi që të dihet vlera e pensionit të parakohshëm vullnetar për mësimdhënësit e moshës 55-64 vjeç.
“Është e qëlluar mbase që të kemi një pensionim vullnetar, por kur kërkojmë pensionim vullnetar, njerëzit që ua bëjmë këtë thirrje kërkojnë garanci, pensionimi i parakohshëm po, po cila do të jetë vlera e pensionit” – ka deklaruar Jasharaj.
KALLXO.com e ka pyetur Jehona Gjurgjealën nga Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim (TOKA), një nga organizatat pjesë e peticionit, në lidhje me qëndrimin e SBASHK për kërkesat e “peticionit për shpëtimin e arsimit parauniversitar”.
Për këtë kërkesë të Jasharajt, Gjurgjeala tha se duhet të diskutohen disa parakushte në kuadër të përgatitjeve që bëhen për draftimin e ligjit nëse Kuvendi i Kosovës i miraton kërkesat e peticionit.
“Me u definu përqindja e kompensimit deri në moshën 65-vjeçare, aty duhen d.m.th. me hy edhe hisedarët prej Ministrisë së Financave edhe të tjerë që me ndërtu prapë diçka që është e qëndrueshme për buxhetin e Kosovës” – ka thënë Gjurgjeala.
Sa i përket vlerësimit vjetor të mësimdhënësve, Jasharaj kërkon që të jetë vlerësim i performancës së mësimdhënësve në klasa, e të bëhet nga inspektorët e arsimit. Ai e ka prerë mendjen për këtë çështje, pasi tha “test me shkrim kurrë”, për mënyrën e vlerësimit të mësimdhënësve.
Sipas tij, edhe përmes inspektorëve të arsimit, vlerësimi i mësimdhënësve është i pamundur për faktin se nuk mjafton numri i inspektorëve të arsimit në raport me numrin e mësimdhënësve në Kosovë.
“Kur thuhet vlerësimi [i mësimdhënësve] çdo vit, duhet të preziciohet – përmes inspektorëve profesionalë, sepse dihet reagimi dhe ajo ndjenja irrituese kur përmendet fjala ‘test”, etj… është vetëm anë teorike dhe është e pamundur ngase MASHTI edhe përkundër kërkesave tona të vazhdueshme, nuk e ka shtuar në masë të duhur numrin e inspektorëve profesionalë. Me numrin që ka mund të inspektohen e të vlerësohen ndoshta mbi 1,000 njerëz brenda viti, apo mos të bahem skeptik, 2,000, e ne i kemi në sistem arsimor 23,000 e më shumë personel” – ka theksuar Jasharaj.
E Gjurgjeala e sheh pozitive përgjigjen e Jasharajt për vlerësimin e mësimdhënësve, pasi konsideron se ai nuk është kundër këtij vlerësimi, por ka preferuar mekanizmat me të cilët do të donte të bëhej vlerësimi i mësimdhënësve.
“Ne absolutisht nuk jemi kundër asaj, d.m.th. na nuk e kemi kërku apriori vlerësimin me shkrim, d.m.th. nuk duhet gjithmonë me mendu në ma të keqen edhe me këqyr çdo tentativë si qëllimkeqe, po përnime me një qëllim konstruktiv. Mendojmë që për çështjen e vlerësimit duhet me pasë një seri të debateve me të gjithë hisedarët, edhe me SBASHK-un, edhe me komunat, edhe me Ministrinë” – është përgjigjur Gjurgjeala.
Sipas Gjurgjealës, ka qindra mësimdhënës që e kanë nënshkruar Peticionin për shpëtimin e arsimit parauniversitar.
“Me qindra mësimdhënës e kanë nënshkru këtë peticion. Nuk janë ata kundër vlerësimit, ata vetëm dojnë që kjo m’u bo në një mënyrë konstruktive edhe të drejtë e nëse ulemi me atë mendësi në tavolinë besoj që kemi me gjetë një zgjidhje që ecë përpara” – ka shtuar Gjurgjeala.
Dhe për riorganizimin e shkollave me më pak se 60 nxënës, duke i mbyllur këto shkolla dhe duke i zhvendosur nxënësit e tyre në shkolla me numër më të madh të nxënësve, Jasharaj kërkoi që të sigurohet transporti i nxënësve në shkollat që zhvendosen dhe mësimdhënësve të këtyre shkollave që mund të mbesin pa punë t’u bëhet zgjidhje.
“Të sigurohet në mënyrë të mirëfilltë, jo veç teorikisht nga karrika çështja e udhëtimit të nxënësve, të cilëve u mbyllet shkolla dhe të lëshohet një vendim i prerë se mësimdhënësit që mbesin pa fajin e tyre, pa krejt normën ose pa gjysmën e normës të bëhet zgjidhje për ta, sepse nëse i mbyllim shkollat e i organizojmë mësimin në një shkollë tjetër, me këta kolegët tanë që i kanë 50 e 60 vjet nuk është humane t’u thuhet: Shkoni te shpia” – tha Jasharaj.
Për Gjurgjealën, ideja e riorganizimit të shkollave me me pak se 60 nxënës nuk është që nxënësit të mbesin pa shkollë, ndërsa për mësimdhënësit e këtyre shkollave, Gjurgjeala mendon se do të zgjidhej përmes dy mundësive që mund t’iu ofrohen.
“Përpos që duhet m’u bo aspekti elementar i organizimit të transportit për nxënës duhet edhe me këqyr nëse shkollat në të cilat ndalohet arsimi formal munden m’u shndërru si qendra për aktivitete jashtëshkollore të komunitetit në të cilin janë ata fëmijë edhe ato familje. Sa i përket çështjes së mësimdhënësve, të cilët, d.m.th. mbesin pa normë për shkak se mbyllen ato shkolla, kjo është diçka që mundet potencialisht m’u adresu në një mënyrë shumë konstruktive… Me iu dhënë atyre mësimdhënësve mundësia potencialisht edhe e pensionimit, nëse ata e dojnë, nëse jo, me u zgjeru mundësia e punësimit të tyre” – ka thënë ajo.
Si përfundim, Jasharaj ka treguar se nuk mund ta përkrahin Peticionin për shpëtimin e arsimit parauniversitar, pasi mendon se OJQ-të që e kanë organizuar atë duheshin konsultuar me SBASHK-un.
“SBASHK-u nuk mund të përkrahë diçka për të cilën nuk është konsultuar, nuk është pyetur dhe nuk di pse këto OJQ mbase aty ka dikush që nuk na do është dashur të vijnë në zyren tonë të thonë- kryetar i nderuar këtë material po ia dërgojmë edhe Kuvendit, a keni edhe diçka me shtu apo a keni diçka për të hequr dhe unë pastaj në emër të SBASHK-ut, duke u konsultuar me organet tona, isha dalë publikisht kisha thanë a e përkrah apo jo” – ka përfunduar Jasharaj.
Pavarësisht këtij qëndrimi të Jasharajt, Gjurgjealës i duket se kanë pika të përbashkëta me SBASHK-un.
“Është për keqardhje paragjykimi që SBAShK i bën iniciativës. Së pari, duhet kuptuar se SBAShK nuk është zëri i vetëm në Kosovë që vendosë se cilat janë prioritetet në arsim. Ne si organizatorë të këtij peticioni kemi biseduar tre muaj për t’i dakorduar kërkesat, dhe 12,526 prindër, ish-nxënës edhe mësimdhënës janë pajtuar me ato. Ky fakt duhet të respektohet nga SBAShK, e jo të kërkoj nënshtrim nga ana jonë. Së dyti, duke marrë parasysh se në të gjitha kërkesat e Peticionit kemi pika ku pajtohemi me SBASHK, do të ishte mirë të bashkëpunojmë, ashtu që hapat konkret të jenë sa më pozitivë për të gjithë qytetarët, për të cilët arsimi është çështje jetësore. Ne do ta kontaktojmë SBASHK-un në javët në vijim për biseda rreth këtyre kërkesave edhe shpresojmë që do t’i përgjigjen pozitivisht dhe pa paragjykime.” – thotë Gjurgjeala për KALLXO.com
Peticioni për shpëtimin e arsimit ka filluar të nënshkruhet fillimisht nga qytetarët në kryeqytet, më 07.03.2024. Përveç në kryeqytet, me kohë peticioni është stacionuar edhe në sheshe të komunave tjera në Kosovë si: Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Podujevë, Lipjan, Prizren, Gjakovë e Skenderaj, për t’u nënshkruar nga qytetarët. Më 25.09.2024, Peticioni i është dorëzuar kryekuvendarit Glauk Konjufca.
14 organizatat e shoqërisë civile që e kanë organizuar Peticionin për shpëtimin e arsimit dhe e përbëjnë Rrjetin e Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar janë: Bonevet, Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim (TOKA), Organizata “ETEA”, Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), Qendra për Studime te Avancuara (FIT), Teach for Kosova, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Këshilli Rinor Kosovar (KYC), ‘LAPS’ (Lab of Activisim and Progressive Society), Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN), Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHPSM), Qendra Kosovare për Studime Gjinore, SOS Fshatrat e Fëmijëve dhe Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve.
Shënim: Artikulli është edituar më 04.10.2024, ora 12:40. Në artikull është vendosur një deklaratë shtesë e Jehona Gjurgjealës që lidhet me deklarimet e kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj në lidhje me Peticionin.