Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla ka shkuar në Berlin për të marrë pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se në këtë takim ministrja Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës në raport me Procesin e Berlinit dhe integrimin europian të Republikës së Kosovës.
Procesi i Berlinit u themelua në vitin 2015 me nismën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel dhe nuk është një proces formal i politikës së Bashkimit Europian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ky proces është mbështetur edhe nga shtetet tjera të BE-së si Austria, Sllovenia, Kroacia e pastaj edhe Franca, Italia, Polonia dhe të tjera.
Kjo iniciativë kishte qëllim krijimin e platformës për bashkëpunim të nivelit të lartë midis përfaqësuesve të lartë zyrtarë “Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor” ku bëjnë pjesë Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Të hënën më 30.01.2024, Gërvalla kishte marrë pjesë në Konferencën e Koalicionit Global kundër DAESH/ISIS me ftesë të Sekretarit Blinken, të mbajtur në Uashington.
Javën e kaluar, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka marrë pjesë në Konferencën e ministrave të Ballkanit Perëndimor, të cilët me 24.09.2024 u mblodhën në Berlin.
Konferenca ka qenë për të shënuar 10 vjetorin e Procesit të Berlinit, e në të cilën konferencë është diskutuar edhe për marrëveshjen e CEFTA-s.
Në këtë kohë Kosova po kritikohet dhe po paralajmërohet për pasoja në marrëveshjen e CEFTA-s, nëse nuk largohet bllokada për importimin mallrave nga Serbia në Kosovë.
Kosova ka refuzuar ta shfuqizojë ndalesën, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.
Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin për BIRN me 23.09.2024, ka thënë se qëndrimi është i papranueshëm.
“Parimi i Komisionit Europian është se ju mund ta bllokoni vetëm veten dhe ne nuk mund të lejojmë që Kosova të mos i lejojë të tjerët të bashkëpunojnë” – ka thënë Sarrazin.
Menjëherë pas vizitës së Sarrazinit në Kosovë më 17.09.2024, Anna Luhrmann, ministre shtetërore e Gjermanisë për Europë dhe Klimë, shkroi në X/Twitter: “Ne e nxisim Kosovën ta bëjë të mundshëm zhbllokimin e CEFTA-s dhe ta lejojë avancimin drejt Tregut të Përbashkët Rajonal për t’u sjellë përfitime konkrete qytetarëve në Kosovë”.
Më 05.09.2024, ambasadori Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rhode, tha se Sarrazin në vizitën e tij të dytë në Kosovë brenda një harku të shkurtë kohor, e ka nxitur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ta heqë ndalesën e qershorit 2023 për importin e produkteve me prejardhje serbe, për të cilën Sarrazin ka thënë se po bllokon tregtinë e lirë në rajon dhe se po e pengon CEFTA-n.
Në këmbim të heqjes së ndalesës, Kosova më nuk do të përfaqësohej zyrtarisht në CEFTA prej misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, por do ta përfaqësonte veten.
Megjithatë, emri i saj do të shkruhej si Kosovo*, me asteriksin që tregon fusnotën se statusi i Kosovës ende duhet të zgjidhet përfundimisht nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke reflektuar refuzimin e Serbisë për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur.
https://kallxo.com/gjate/procesi-i-berlinit-perbashkues-apo-perjashtues-per-kosoven/