RRUFE

Ministrja Hajdari merr pjesë virtualisht në takimin e CEFTA-s në Beograd

Në Beograd të Serbisë, aty ku po mbahet takimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA), pritet të vendoset që Kosova të mos përfaqësohet më nga UNMIK-u.

Kosovën përmes takimit online po e përfaqëson edhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Kështu tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, më 09.10.2024.

“Në mbledhjen që po zhvillohet CEFTA, me sa jam në dijeni unë, është mbledhje online dhe do të merr pjesë Rozeta Hajdari”- tha Kurti.

Ndërkaq, Bislimi tha se e sheh si një hap pozitiv që një vendim i tillë mund të merret pikërisht në Beograd.

“Sot mu në Beograd do të votohet me propozim të palës serbe që UNMIK-u përfundimisht të largohet nga përfaqësimi në CEFTA. Unë e shoh këtë si një zhvillim shumë pozitiv, sidomos që ndodh në Beograd, gjë që nuk ka ndodhur për shumë vite”- tha Bislimi.

Ndërkohë Kurti tha se takimi pritet të zgjas disa orë për shkak të agjendës së ngjeshur.

Në anën tjetër, Bislimi tha se shpreson që kjo frymë konstruktive e Serbisë e cila e kupton që realiteti ka ndryshuar të bartet edhe në dialog në mënyrë që të bindim palët se Marrëveshja e Ohrit dhe Brukselit duhet të zbatohen në tërësi.

“Kosova promovon tregtinë e lirë dhe përparësitë që sjell tregtia e lirë me rajonin. Serbia është ajo që ka penguar. Përmes barrierave jotarifore ka penguar eksportin drejt Serbisë”- tha ai.

Kurti ritheksoi se Kosova ka vendosur masa të sigurisë dhe jo të tregtisë ndaj mallrave nga Serbia.

“Nuk kemi arritur t’i marrim ende skanerët, të cilët disa duam t’i blejmë, disa na i kanë premtuar edhe europianët dhe amerikanët. Ne e kemi hapur një pikë të kufirit se terminali doganor është vetëm 300 metra afër”- shtoi ai.

Megjithatë Kurti ditë më parë tha se kanë pritje që edhe në takimin e CEFTA-s, e edhe në Samitin e Berlinit që do të mbahen gjatë këtyre ditëve, do të arrihen suksese si Kosovë.

Kurti pati deklaruar se pret që në takimin e CEFTA-s, më 09.10.2024, vendi ynë të përfaqësohet si Kosovë. Duke folur për këtë çështje, ai kërkoi nga SHBA dhe Bashkimi Europian që t’i ndihmojnë Kosovës që të sigurojë skanerët për të kontrolluar mallrat që vijnë nga Serbia.

“Aty pritjet tona janë që të përfaqësohemi si Kosovë”- pati thënë Kurti.

Vendimmarrja në CEFTA, është bllokuar për shkak se Qeveria do që Kosova të përfaqësohet si shtet që ka shpallur pavarësinë, e jo përmes misionit të OKB-së, UNMIK-ut.

“Pjesëmarrja në takimin e CEFTA-s bazohet në dispozitën e CEFTA-s dhe rolet e saj procedurale”- tha UNMIK-u më 08.10.2024 në një përgjigje për KALLXO.com, se si do të përfaqësohet Kosova në takimin e CEFTA-s.

Gjermania kishte ‘kërcënuar’ Kosovën me mospjesëmarrje nëse nuk e heq ndalesën e importit të mallrave nga Serbia. Sarrazin kishte thënë kjo ndalesë bllokon edhe punën e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA.

Pak pe u lëshua një javë para Samitit të Berlinit, pasiqë siç bëri të ditur Kurti, që nga 7 tetori u ndryshua masa e sigurisë për mallrat serbe në Merdare, nga “e kufizuar” në “kontroll të shtuar”. Ky ndryshim, sipas tij, do të vlejë “derisa të sigurohen skanerët e tekonologjisë së lartë” për kontrollin e mallrave në kufi.

“Nëse nuk sillni rezultate më të mira deri te samiti më 14 tetor, jam i shqetësuar se nuk do të arrijmë qëllimin tonë…”- kishte thënë Sarrazin më 29.08.2024.

https://kallxo.com/gjate/muri-i-cefta-s-a-jane-ftohur-marredheniet-e-gjermanise-me-kurtin/


Postuar

nga