RRUFE

Mitrovicë e Veriut, qytetarët heqin mbishkrimin në serbisht nga pllaka përkujtimore e dëshmorit Avni Hajredini

Disa qytetarë janë mbledhur afër pllakës përkujtimore të dëshmorit Avni Hajredini në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë të Veriut, në shenjë revolte ndaj vendosjes së parullave në serbisht me mbishkrimin “Mos u frikëso! Qyteti yt”.

Djali i dëshmorit Avni Hajredini, Donik Hajredini, në një prononcim për KALLXO.com tha se qytetarët shqiptarë i larguan posterët nga pllaka përkujtimore.

“Qytetarët kanë kalu kësajde, disa qytetarë e kanë largu posterin, i cili ka qenë i vendosur mbi emblemë të Policisë së Kosovës. Nuk është hera e parë që po ndodh kjo, i kanë gjujtë polikolor, e kanë thy me çekiq”- tha ai.

Qytetarë të Lagjes së Boshnjakëve janë mbledhur dhe ndërkohë aty janë janë shfaqur edhe qytetarë të komunitetit serb.

Policia ka urdhëruar që qyteratët të largohen dhe të mbesin vetëm familjarët e dëshmorit, në nderim të të cilit është ngritur pllaka përkujtimore.

Posterë me mbishkrimin “Mos u frikëso! Qyteti yt!” janë vendosur përgjatë sheshit “Car Llazari” në Mitrovicë të Veriut më 31.10.2024.

Shënim: Artikulli është edituar, me ç’rast është hequr paragrafi në të cilin thuhej se zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri, Veton Elshani, ka thënë se posterët/stikersi në pllakën përkujtimore është vendosur nga Aleksander Arsenijeviq. Zëvendësdrejtori Elshani e ka konfirmuar gjatë ditës se parullat e tilla janë vendosur në sheshin “Car Llazari”. Koha e editimit: 31.10.2024, ora 22:00.


Postuar

nga