RRUFE

Mitrovicë, marsh e aktivitete solidarizimi me gratë e prekura nga kanceri i gjirit

Në Mitrovicë të Jugut të martën, më 08.10.2024, është mbajtur një marsh solidarizimi me gratë e prekura nga kanceri i gjirit.

Aktivitete të ndryshme janë mbajtur në qytet në kuadër të shënimit të Muajit Rozë, gjatë të cilit organizata, institucione e qytetarë të shumtë mobilizohen për të rritur vetëdijen për sëmundjen, për të promovuar kontrollet e rregullta dhe për të mbështetur ata që janë prekur nga kanceri i gjirit.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, në një fjalim para qytetarëve tha se duhet të luftohet kanceri në të gjitha mënyrat.

“Ju inkurajoj për guxim, kurajo, të shkoni dhe të bëni vizita, t’i kryeni testet. Diagnoza e hershme tregon sukses”- ka thënë Hamza.

Kryetari Bedri Hamza shtoi se kjo çfarë kanë bërë nuk është boll, dhe premtoi se në të ardhmen do të këtë përkrahje më të madhe.

“Në të ardhmen përkrahja do të jetë edhe më e madhe, me medikamente. E falënderojmë shumë personelin shëndetësor që pa lodhje gjithmonë janë afër dhe në shërbim të pacientit”- ka përfunduar Hamza.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Fahri Shabani, tha se ky marshim është kthyer në një aktivitet tradicional për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit.

“Marshi për ndërgjegjësimin  kundër kancerit të gjirit i cili është aktivitet tradicional në kuadër të fushatës Tetori Rozë apo Muaji Kundër Kancerit të Gjirit, ky aktivitet është i organizuar nga Drejtoria e Shëndetësisë së bashku me grupin e grave asambliste të Mitrovicës, institucionet shëndetësore, institucionet arsimore dhe institucionet e tjera që veprojnë në Mitrovicë”- tha Fahri Shabani.

Drejtori tha se ky kancer është më i ekspozuari tek gratë, por që në raste të vogla janë të prekur edhe gjinia mashkullore.

“Kanceri i gjirit është lloji i kancerit më i shpeshtë te gratë dhe kanceri i dytë më i shpeshtë në popullatën në botë. Numër i madh i rasteve vërehet tek gratë mbi moshën 50-vjeçare por mund të haset edhe në çdo moshë tjetër. Përveç te femrat kanceri i gjirit haset edhe te meshkujt por rreziku te meshkujt në krahasim me atë te femrat është 100 herë më i ulët, zakonisht për 100 raste me kancer te femrat haset 1 i tillë te meshkujt”-ka thënë Shabani.

Fahri Shabani tha se inkurajon të gjitha gratë, vajzat që të kontrollohen dhe të bëjnë zbulimin e hershëm.

“Zbulimi i hershëm garanton trajtimin me sukses të plotë, trajtim të plotë dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje. Janë disa hapa të thjeshtë mes të cilëve mund të bëhet zbulimi i hershëm: ekzaminimi i gjirit, vizitat e hershme te mjekët familjarë, ultrazëri i gjirit dhe mamografia”- tha drejtori i Shëndetësisë.

Ai përfundoi se janë gjithmonë pranë qytetarëve për të mposhtur çdo vështirësi të tyre.

“Ne do të vazhdojmë të jemi krah qytetarëve, dhe shëndetit të tyre për të mposhtur kancerin e gjirit si një sfidë globale serioze”- ka përfunduar Fahri Shabani.

Marshimi dhe përgatitja e ushqimeve për gratë e prekura nga kanceri është një ngjarje e veçantë që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe mbështetjen për ato që po luftojnë me këtë sëmundje të rëndë.

Melihate Beshiri, themeluese  e Biznesit të Grave të Mitrovicës, tha për KALLXO.com, se çdo vit organizojnë këto marshe për Muajin Rozë.

“Ne gjithmonë i përkrahim gratë, edhe në 365 ditë por muaji tetor është Muaji Rozë, ku kemi vendosur me bërë një marsh dhe me përgatitë disa ushqime tradicionale prej grave ndërmarrëse”- ka thënë Beshiri.

Ajo tutje shtoi se për këtë janë të përkrahur nga të gjithë akterët komunalë.

“Neve na ka përkrahur Komuna e Mitrovicës, shkolla e Mjekësisë “Xheladin Deda”, Drejtoria e Shëndetësisë, kështu që këto ushqime që janë përgatitur nga gratë janë për shkak që të kontribuojmë për gratë me kancer. Ushqimet çmime nuk kanë, sipas mundësisë dhe dëshirës së tyre”- tha Melihate Beshiri.

Në një botë ku sfidat e kancerit vazhdojnë të prekin shumë gra, historia e çdo individi është një dëshmi e forcës dhe guximit.

E Mahire Brahimi ka shpalosur për KALLXO.com historinë e saj të përballjes me kancerin. Ajo kujton ditën kur u diagnostikua me sëmundjen.

“Më 28 tetor të 2022, pasi që përfundoi pandemia, kam shkuar të kontrollohem, lodhjen që e kisha rezultoi me diagnostikimin me kancer. Në ato momente filluan 100 pyetje e mendime”- ka thënë Mahire Brahimi.

Nga ditë e parë kur kam shkuar në Repartin e Onkologjisë, që nga diagnoza e parë deri në trajtimin e vazhdueshëm, kam hasur në vështirësi që më kanë testuar durimin dhe forcën time, por e kam luftuar këtë betejë, ka thënë për KALLXO.com Mahire Brahimi.

“Lufta ime ka filluar atë ditë kur kam shkuar te doktori, ku më orientuan për në Repartin e Onkologjisë, ka qenë stres i madh, si në aspektin emocional po ashtu edhe atë psikik. Fillova veten me e marrë me të keq, kur u futa brenda pash njerëz të tjerë thash nuk ka tjetër kjo është luftë, dhe do të luftoj”- ka thënë Mahire Brahimi.

“Historinë dua ta ndaj si një moment force, për të gjitha që janë në këtë pikë, bashkë mund të rrisim vetëdijen, dhe shpresën” – shtoi ajo.

“Kam luftuar, do të luftoj edhe sot, i këshilloj të gjithë, çdo grua, çdo person tjetër të shkojë te mjeku të zbulojë sa më herët, zbulimi i hershëm është shtim i jetës, kur jemi së bashku mund t’ia dalim” – ka përfunduar Mahire Brahimi.

Bashkorganizatorja e këtij aktiviteti, Valbona Sadiku, në një prononcim për KALLXO.com tha se historia e kësaj iniciative ka filluar nga të mbijetuarat e kancerit të gjirit.

“Ka filluar si iniciativë e të mbijetuarave të kancerit por që menjëherë kemi gjetur mbështetje edhe te gratë e tjera, të gjitha mjetet që vijnë nga shitjet e këtyre ushqimeve do të shkojnë dhe do të ndahen në mënyrë të barabartë për të gjitha gratë e prekura me kancer” – ka thënë ajo.

Valbona Sadiku tha për KALLXO.com se së bashku me Grupin e Grave Ndërmarrëse dhe të  Mbijetuarave të Kancerit, kanë organizuar këtë iniciativë.

“Po së bashku me Gratë Ndërmarrëse, të Mbijetuarat e Kancerit, aktiviste dhe qytetarë kemi organizuar në mënyrë vullnetare të gatuajmë dhe mbështesim gratë e prekura nga kanceri i gjirit”- ka thënë Valbona Sadiku.

Aktiviteti “Gatuajmë dhe përkrahim gratë me kancer të gjirit” është organizuar me mbështetje nga korporata Rugova, Komuna e Mitrovicës, Ministria e Shëndetësisë.