“Ne si shtet, si republikë dhe si histori, ju jemi thellësisht mirënjohës”. Me këto fjalë iu drejtua Albin Kurti mërgimtarëve të mbledhur në një tubim në Këln të Gjermanisë në javën e dytë të tetorit të sivjetmë. Por, as në prapavijë të tij e as brenda turmës së simpatizantëve nuk dukej simboli i shtetit e i republikës- flamuri i Kosovës. Dhe jo vetëm në Këln, por edhe në Munih, Shtutgart e Berlin, ku shefi i Qeverisë mbajti fjalime para bashkatdhetarëve, valonte vetëm flamuri kuqezi me shqiponjën dykrerëshe.
Tubimet e tilla po mbaheshin në prag të nisjes së Samitit të Berlinit, aty ku krahas liderëve tjerë të Ballkanit Perëndimor, Kurti e përfaqësonte Kosovën- si shtet. Për mungesën e flamurit të Kosovës në tubimet me mërgimtarë, Qeveria e ka një “arsyetim”, por një zhvillim i tillë nuk ka kaluar pa kritika nga njohës të politikës. Doza e kriticizmit u shtua edhe nga fakti që aktivitetet e natyrës partiake u bënë publike në faqen zyrtare të qeverisë. Krejt kjo u cilësua si mungesë respekti ndaj simboleve shtetërore dhe si qasje jo e duhur e me dykuptimësi.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i pyetur nga KALLXO.com për mungesën e simboleve shtetërore në këto tubime, nuk dha një përgjigje konkrete. Ai tha se tubimet në Munih, Shtutgart, Këln, dhe Berlin janë organizuar nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani. Në frymën e kësaj, sipas tij, thirrjes për ta mirëpritur Kurtin i janë përgjigjur bashkatdhetarë të shumtë shqiptarë, jo vetëm nga Kosova, e që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani.
“Këto takime kanë qenë mundësi shumë e mirë që të bashkëbisedojmë me mërgatën tonë të madhe në Gjermani, të mbajmë kontakte të afërta me ta dhe të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm ndër vite si dhe t’i ftojmë ata që të vijnë sa më shpesh në Kosovë e të investojnë sa më shumë në vendlindje për të mbajtur lidhjet e forta dhe për ta zhvilluar bashkërisht vendin”- tha Kryeziu për KALLXO.com.
Edhe pse në tubime mbizotëruan mbishkrimet me emrin e partisë që e drejton Kurti- Lëvizjes Vetëvendosje, zyrtarisht thuhet se ai ishte ftuar si kryeministër dhe si rrjedhojë komunikatat e lëshuara nga këto tubime nuk mbetën vetëm në nivel partie. Ato iu dërguan mediave përmes kanalit qeveritar, Zyrës së Kryeministrit. E, veprime të tilla nuk cilësohen të duhura nga ana e njohësve të politikës vendëse dhe ndërkombëtare.
“Mungesë vetërespekti ndaj shtetit të ndërtuar me dhimbje”
Enver Robelli, redaktor në të përditshmen zvicerane Tages Anzeiger e vlerëson si gabim mungesën e flamurit të Kosovës në tubimet partiake ku marrin pjesë bartës të funksioneve më të larta të shtetit të Kosovës.
“Pa marrë parasysh rrethanat e organizimit të tubimeve të tilla, simbolet shtetërore nuk duhet të mungojnë. Është çështje vetërespekti dhe respekti ndaj shtetit të ndërtuar me aq shumë dhimbje”- thotë Robelli për KALLXO.com.
Me këto veprime, sipas tij, duket se te një pjesë e shtetasve të Kosovës – në mërgatë dhe në Kosovë – ende nuk ka përparuar sa duhet pjekuria politike, andaj ndodhin edhe këso situatash absurde.
“Pse absurde? Sepse valëvitja e shqiponjës dykrenare dhe injorimi i flamurit të Kosovës nuk të bën kurrfarë patrioti. Në përgjithësi konsideroj se mërgata, përkundër interesimit legjitim mbi zhvillimet në Kosovë, nuk duhet të lejojë të instrumentalizohet nga asnjë parti për betejat politike në Kosovë”- shtoi Robelli.
Përveç numrit të madh të mërgimtarëve që shihen në fotografi, Kurti në tubime u shoqërua edhe nga ministra dhe partnerë të Qeverisë. Në tubimin në Berlin u shoqërua nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ndërkaq në Shtuttgart e në Munih, shkoi i shoqëruar me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.
Duke i dhënë jehonë sukseseve të Qeverisë midis bashkatdhetarëve në këto tubime, ashtu siç shkruan në komunikatat e Zyrës së Kryeministrit, është bërë ftesë që të votojë diaspora në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 dhe është shpërfaqur roli i madh i diasporës për proceset që zhvillohen në Kosovë.
“Ne nderojmë Gjermaninë dhe ju nderojmë juve, për mënyrën sesi keni kontribuar në shoqërinë e saj, duke ruajtur njëkohësisht lidhjet e forta me atdheun tuaj” u shpreh kryeministri në njërin nga tubimet, shkruan në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Ndër të tjera, thuhet se Kurti përmendi disa prej sukseseve gjatë mandatit qeverisës, duke thënë se “janë dyfishuar eksportet e më shumë se dyfishuar investimet e huaja”, gjersa është rritur buxheti i shtetit dhe është ulur borxhi publik. “Po ashtu kemi investuar në fusha kyçe si mbrojtja e siguria, arsimi e shëndetësia, bujqësia e teknologjia”- citohet të ketë thënë Kurti.
Të gjitha partitë politike, e më së shumti partia në pushtet, sipas Robellit, po tentojnë të krijojnë një iluzion mbi rolin tepër të rëndësishëm të mërgatës në politikën e Kosovës.
Robelli beson se përgjegjësia për zhvillimet politike në Kosovë i përket në radhë të parë qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Nga pikëvështrimi i tij, mërgata mund të jap ndonjë kontribut të vlefshëm, por do të duhej ta kursej veten nga protagonizmi direkt në proceset politike.
“Kjo s’i bën mirë as mërgatës, as skenës politike në Kosovë, e cila mbetet e barrikaduar në istikame, e polarizuar tej mase dhe e kurthuar në një gjuhë vulgare publike me përmasa shqetësuese”- thotë Robelli, duke shtuar se i bën mirë edhe mërgatës dhe çdokujt të shoh se Kosova vazhdon të përballet me të njëjtin problem që nga shpallja e pavarësisë: mungesën e qeverisjes efikase.
Shteti përfaqësohet ashtu siç e përcakton Kushtetuta
Arton Demhasaj nga Organizata joqeveritare “Çohu”, thotë se nuk ka rëndësi se nga kush janë organizuar takimet në Gjermani, nga dega e VV-së në Gjermani apo nga dega e VV-së në Kosovë, shqetësues dhe i pakuptimtë është fakti që kryeministri merr pjesë në tubime të tilla pa simbole të shtetit të Kosovës.
“Kjo nuk është hera e parë që Kurti merr pjesë në takime të tilla pa simbole shtetërore. Nëse i përcjellim tubimet e Vetëvendosjes kudo në Kosovë e shohim që simbolet shtetërore nuk janë prezente”- thotë ai për KALLXO.com.
Demhasaj vlerëson se një kryeministër i vendit nuk mundet ta përfaqësojë vendin ashtu siç i përshtatet, por ashtu siç e kërkon Kushtetuta.
“Nuk mundet kryeministri i vendit me u nda që momentalisht jam përfaqësues i partisë politike dhe mbaj takime me simbole kombëtare e në anën tjetër në takime tjera zyrtare pastaj të mbaj simbole shtetërore”- shtoi ai, duke e cilësuar mungesën e simboleve të shtetit si “shembullin më të keq të mundshëm të shoqërisë”.
Demhasaj shtron pyetjen se nëse si kryeministër i vendit Kurti nuk i zbaton simbolet e veta shtetërore, atëherë “qysh mundet të pret që komunitetet tjera e posaçërisht ai serb i Kosovës t’i respektojë dhe zbatojë ato”.
Ndërsa për pjesën që kanali i Zyrës së Kryeministrit po përdoret për t’i dërguar këto komunikata, Demhasaj thotë se kjo është e gabuar, sepse çdo tubim që mbahet nën petkun e partisë duhet të dërgohet nga partia, e jo nga Zyra Kryeministrit.
“Zyra e Kryeministrit është për komunikime zyrtare të kryeministrit Kurtit e jo eventeve partiake”- thotë ai.
“Dykuptimësia” e qëllimshme
Në një vijë mendimi me Demhasajn është edhe profesori universitar Dritero Arifi. Por ai ka shkuar një hap përtej duke i cilësuar sjelljet e kryeministrit Kurti si të “dykuptimta”.
“Mosprezenca e simboleve shtetërore po dëshmon joseriozitetin dhe dykuptimësinë e politikës se tij”- thotë ai për KALLXO.com.
Tubimet e fundit në Gjermani, sipas tij, e dëshmojnë sjelljen politike të Kurtit, e cila siç thotë ai, që nga fillimi e deri tash çdoherë ka pasur paqartësi.
“Por esenca e sjelljes të zotëri Kurtit është dykuptimësia. Pra, varësisht se cila situatë ndodhë ai e përdorë njërin prej kuptimeve. Pra tash po përdorë simbolet kombëtare për të treguar një lloj nacionalizimi popullizmi, një shqiptar i madh që do ta çlirojë kombin etj. Në njëfarë mënyrë harron që ende ëstë kryeministër”- thekson ai.
Sipas tij, kryeministri Kurti për popullatën në diasporë dhe në Kosovë, thotë se Kosova është shkatërruar për 25 vite, ndërsa për perëndimorët thotë që Kosova është storie e suksesit.
“Këtë e bën qëllimshëm për variante se ku mund të përfitojë, për ta kapur votën. Nuk është kryeministër vetëm i një pjese por i të gjithëve. Po del edhe joserioz edhe qesharak”- thotë ai.
Historia e qëndrimit të Kurtit ndaj flamurit të shtetit
Lëvizja Vetëvendosje, partia e udhëhequr nga kryeministrit Albin Kurti, e kishte kundërshtuar pamjen e flamurit të Kosovës që ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 17.02.2008. Lëvizja Vetëvendosje nuk ishte pjesë e Kuvendit të Kosovës në vitin 2008. Pas zgjedhjeve të vitit 2010, Vetëvendosja kishte arritur të sigurojë 14 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Kurti e kishte quajtur flamurin e Kosovës “lara-lara” në një tubim të mbajtur në sheshin e Prishtinës më 28.11.2015.
Kurse në vitin 2016, Albin Kurti kishte deklaruar se e pranon flamurin e Kosovës.
“Flamurin e Kosovës unë e pranoj, e pranoj në institucione në Kuvend. S’mund të na imponohet ta valëvitim në protesta e as ta ndalojmë flamurin kombëtar. Edhe në protesta nuk ia ndalojmë dikujt që e merr flamurin e Kosovës. Unë e shoh këtë flamur jodemokratik, johistorik dhe të imponuar, s’mund të më imponohet ta mbajë. Ne nuk e kemi për zemër flamurin e Kosovës, por e duam shumë Republikën dhe substancën e saj”- kishte thënë ai.
Ai në emisionin Debat Plus të RTV Dukagjini, më 23.09.2019, kishte thënë se kur të zgjidhet kryeministër do ta mbajë në zyrë flamurin e Kosovës.
Që nga koha kur Kurti e ka marrë postin e kryeministrit asnjëherë nuk ka pasur ndonjë iniciativë për ndryshimin e flamurit të Kosovës.
Flamuri është simbol i Republikës së Kosovës dhe ishte prezantuar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 17.02.2008. Kjo seancë kishte vetëm dy pika të rendit të ditës: Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe nxjerrjen e simboleve shtetërore të Kosovës.
Pas miratimit të deklaratës së Pavarësisë, 109 deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që ishin prezentë në seancën e mbajtur më 17.08.2008 kishin votuar për miratimin e flamurit dhe stemës së Republikës së Kosovës.
Më 09.04.2008 ishte miratuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila kishte hyrë në fuqi më 15.06.2008.
Në paragrafin e parë të nenit 6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës thuhet “Flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës të cilat pasqyrojnë karakterin shumëtnik të saj”.
Kurse në paragrafin e dytë të nenit 6 thuhet “pamja, mënyra e përdorimit dhe mbrojtja e flamurit dhe të simboleve të tjera shtetërore rregullohen me ligj. Mënyra e përdorimit dhe e mbrojtjes së simboleve kombëtare rregullohet me ligj”.