Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova- Baçi e ka kritikuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci pasi ia ka kushtuar një postim Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, më 11.10.2024.
Drejtoresha Kumnova- Baçi këtë javë që shkoi, u ballafaqua me 19 raste të nxënëseve që i lënduan duart e tyre me mjete të mprehta, të nxitura nga një video (lojë) në ‘TikTok’.
Kritikën e saj ndaj ministres Nagavci, Kumnova- Baçi e ka nisur duke e cituar ministren se ka thënë në postimin për vajzat: “Si Qeveri dhe Ministri e Arsimit ju kemi në vëmendje si asnjëherë më parë”.
“Në cilën vëmendje ministre? Në vëmendjen tënde duhen të ishin prioritet 20 vajza të vetlënduara nga qyteti yt i lindjes. Në vëmendjen tuaj duhet të ishte një vizitë në Gjakovë, një takim me shkollat, krijimi i një task force, masa të shpejta, takim me drejtorët e drejtorive për Arsim të të gjitha komunave. Kjo duhej të ishte vëmendja juaj për ditën e vajzave” – ka shkruar Kumnova- Baçi në Facebook, më 12.10.2024.
Pas dy ditësh që u raportuan fillimisht tri rastet e para të nxënëseve që lënduan veten në Gjakovë, reagoi Ministria e Arsimit bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
E drejtoresha Kumnova- Baçi thotë se nuk u kontaktuan nga Ministria e Arsimit edhe pas rasteve të nxënëseve që lënduan veten.
“Sepse në tërë këtë javë jo të mirë për shkollat tona, nga Ministria që udhëhiqni ju nuk kemi marrë asnjë telefonatë, asnjë komunikim dhe asnjë vizitë, kur duhej të ishte temë e përbashkët kjo” – ka shtuar Kumnova- Baçi.
Në fjalinë e radhës së ministres Nagavci në postimin për Ditën Ndërkombëtare të Vajzave që thotë “Le të vazhdojmë të mbështesim dhe fuqizojmë vajzat tona”, Kumnova- Baçi ka vlerësuar se nuk do duhej të ishte fare në postimin e Nagavcit, pasi ajo e ka dhënë provimin e saj për “mbështetje” javën që shkoi.
Të martën, më 08.10.2024, Gjakova e nisi ditën me njoftimin se drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Eranda Kumnova- Baçi i ka raportuar në Polici tri nxënëse se janë vetëlënduar.
Në fund të ditës së martë, dolën edhe 10 raste të tjera të nxënëseve të klasave 6 deri në 9, duke e ngritur numrin në 13 raste të nxënëseve që i kanë lënduar duart me mjete të mprehta.
E më 09.10.2024, u raportua se janë gjithsej 19 nxënëse që kanë lënduar veten në Gjakovë, kjo u zbulua pasi vazhduan kontrollat e nxënësve në shkolla nga drejtorët e shkollave, psikologët e kujdestarët e klasave.
Të gjitha rastet e nxënëseve që e kanë lënduar veten në Gjakovë janë duke u trajtuar nga Policia e Prokuroria si – shtytje në vetëvrasje.
Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjakovës, Sheremet Elezaj, e ka konfirmuar për KALLXO.com se janë 19 nxënëse deri më tani në Gjakovë që dyshohet se e kanë lënduar veten në periudha të ndryshme kohore.