RRUFE

Ndërrimi i shpeshtë drejtorëve të komunës në Vushtrri përplasë pozitën dhe opozitën

Në Drejtorinë e Arsimit në Vushtrri aktualisht është drejtori i tretë brenda tri viteve që po e udhëheq këtë drejtori. Ndërrimi i shpeshtë i drejtorëve të arsimit, por jo vetëm, u diskutua Debat Përnime me kryetarin e Vushtrrisë, Ferit Idrizin dhe opozitën në këtë komunë.

Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adnan Lahu tha se premtimi për prioritetin në arsim i kryetarit Idrizi në Vushtrri nuk po shihet.

Lahu duke komentuar ndërrimin e drejtorëve në DKA tha se kjo ka ndodhur për shkak se “drejtorët kanë qenë të padëgjueshëm për kryetarin”.

“Kryetari e ka pas prioritet arsimin dhe ka premtuar shumë për arsim dhe na kemi kërkuar nga kryetari se ku janë këto prioritete për arsim. Pasi që në vitet e para janë ndërrua hiç më pak se tre drejtorë të arsimit. E ka pas periudhë kur kjo drejtori ka qenë bosh dhe pa drejtor fare. Në arsim, në 55 premtimet e tij ka premtuar që do të organizojë mënyra që shkollat të kenë byfeja. Këta drejtorë për mendimin tim kanë qenë të padëgjueshëm për kryetarin” – tha Lahu.

Ndaj deklaratave të Lahut, reagoi kryetari Idrizi duke thënë se drejtorët kanë kërkuar lirim nga detyra.

“Shumica e tyre kanë kërkuar lirim nga detyra. Drejtoresha e parë ka jep dorëheqje, ka qenë sfidë e madhe për të. Drejtori i dytë e ka gjetur një punë tjetër, 2 mijë e 400 euro dhe ka ardhë më ka thënë që; kryetar, me këtë e mbaj familjen. Drejtorët janë politikë dhe është fat që asnjë drejtor nuk është liruar për korrupsion” – tha Idrizi.

Në lidhje me këtë temë, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Refik Maloku tha se “po normal që nuk munden me përcjelle sepse ti kur ja dërgon listën e mësuesve që kanë me u pranu çdo here, çdo konkurs”.

“Tha që nuk po munden drejtorët me e përcjellë, po normal që nuk munden me përcjelle sepse ti kur ia dërgon listën e mësuesve që kanë me u pranu çdo here, çdo konkurs, nuk mundet me e përcjëllë askush, këto janë arsyet e dorëheqjeve. E ki raportin e auditorit që e vërteton këtë. Raporti i auditorit thotë se kanë marrë paraprakisht testin me shkrim dhe kanë plotësuar testin në bazë të çelsit të përgjigjeve të sakta”-  tha Maloku.

“Unë jam pastër, se kur kam kandiduar, nuk ka qytetar që i kam thënë më mbështetë, të shti në punë”- iu kundërpërgjigj Idrizi.

Ndërsa, drejtori aktual i arsimit, Albanez Tahiri tha se “auditori thotë; ‘le të nënkuptohet për shkak të afërsisë së përgjigjeve”.

Në Komunë e Vushtrrisë ndërrimi i drejtorëve është evidentuar edhe nga KALLXO.com.

Në drejtorinë e prokurimit sipas vendimeve zyrtare nga Komuna, brenda tri viteve janë ndërruar 4 drejtorë.

Në drejtorinë për inspektime janë ndërruar dy drejtorë.

Ndërsa nga një është ndërruar në drejtorinë e urbanizmit, kulturës, buxhetit, shëndetësisë e administratës.

 


Postuar

,

nga