RRUFE

“Njerëzit po fluturonin në ajër”, thonë të mbijetuarit e sulmit në Bejrut

Mohammed Sukayneh po gërmonte nëpër rrënojat e shtëpisë së tij duke u munduar të nxirrte disa çanta plastike – krejt çfarë i kishte mbetur prej shtëpisë në të cilën kishte jetuar e investuar qe 45 vjet.

Shtëpia ishte shembur mbi kokat e familjarëve një natë më parë prej bombardimeve ajrore izraelite, që ua morën jetën 18 personave, katër prej të cilëve fëmijë, ka bërë të ditur Ministria libaneze e Shëndetësisë, raporton BBC.

Sulmi ndodhi pa paralajmërim në një vend ku njerëzit menduan se ndiheshin të sigurt – nja 150 metra larg prej hyrjes së spitalit më të madh publik të Libanit, qendrës “Rafik Hariri” në Bejrutin jugor.

Mohammedi dhe familja e tij ishin në gjumë në momentin e sulmit.

“Nuk po e merrnin vesh se çfarë po ndodhte”, ka thënë ai për transmetuesin britanik.

“Dhe sulmi që dëgjuam kishte jehonën ‘bum, bum, bum’. Dhe gjithçka ishte hedhur sipër nesh. Gurë, metal, çelik, gjak të i freskët, mish i gjallë sipër nesh. Nuk mund të flisje, nuk mund të merrje frymë, nuk mund të merrje oksigjen”, ka treguar ai.

Mohammedi ka treguar me emër pesë fqinjët që ende ndodheshin nën rrënojat e shtëpisë së tyre. Kishte edhe të tjerë, të vrarë në lagjen e tyre – përfshirë dy vajza 19-vjeçare që po qëndronin ulur para derës së shtëpisë.

Mohammedi, 54 vjeç, mbijetoi sulmin, por ka lënduar krahun, derisa nipi i tij 20 vjeç ndodhet në kujdes intensiv. “Gjysma e trurit i është dëmtuar”, ka thënë ai.

Një zyrtar i mbrojtjes civile ka thënë për BBC-në se gjashtë ndërtesa banimi ishin qëlluar, shumica prej të cilave nga tri ose katër kate të larta.

Një grua e mbuluar, ulur në tok me dy duart kapur për koke, ishte në stres të madh. “Këtu nuk ka ‘Hezbollah’”, ka thënë ajo, “të gjithë jemi civilë”.

Një fqinj i saj tha se “të gjithë po fluturonin në ajër”.

Disa minuta më vonë, u nxorën mbetjet mortore nga rrënoja dhe u vendosën në qese të zeza najloni.

Mohammedi është i zemëruar sepse, sipas tij, izraelitët po qëllojnë pa zgjedhur caqet e tyre. Ka thënë se nuk po kursehen as zonat ku ndodhen civilë, sidomos fëmijë.

Izraeli ka disa javë që ka nisur aksione ajrore dhe tokësore kundër “Hezbollahut”, grupit militant aleat të Iranit dhe “Hamasit”, pasi kishte sulmuar Izraelin në shenjë të mbështetjes për grupin militant palestinez pas nisjes së luftës në Gazë.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com


Postuar

,

nga

Etiketa: