RRUFE

Opozita e cilëson alarmante çështjen e ushqimit në FSK, Vetëvendosja e quan propagandë

Deputetët e pozitës kanë bojkotuar seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur nga opozita për të debatuar rreth problemit me furnizim me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Para nisjes së seancës, deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, në një konference për media të mbajtur me bashkëpartiakun, Mefail Bajqinovci, ka paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë seancë të thirrur nga opozita dhe se kërkesa për këtë seancë është në “seri të dezinformatave”, përmes të cilave, sipas tij, tentohet të keqinformohen qytetarët e vendit.

“Tentimi për të diktuar apo shantazhuar grupin tonë parlamentar për shkarkimin e zonjës Mimoza Kusari-Lila si shefe e grupit tonë parlamentar si kompensim i pjesëmarrjes së seancave dhe votimeve eventuale në këtë legjislaturë, është absurd të cilin ne nuk e pranojmë”- ka thënë Dugolli.

Kjo seancë është thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 43 nënshkrime të deputetëve, me një rezolutë të propozuar.

“Propozim Rezoluta është e thjeshtë: ‘Kuvendi i Republikës së Kosovës e obligon Qeverinë, Ministrinë e Mbrojtjes, që me urgjencë ta zgjidhë çështjen e furnizimit me ushqim si dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme’. Nesër Kuvendi do të obligojë Qeverinë të zgjidhë këtë çështje. Për sqarim: ky draft i Rezolutës mund të plotësohet nga deputetët në seancë”- ka njoftuar shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri në Facebook.

Gjatë seancës, deputetët opozitarë e kanë cilësuar gjendjen e krijuar në FSK si alarmante dhe kanë kërkuar përgjegjësi institucionale.

“Ne jemi në një kohë të rrezikshme për sigurinë në rajon dhe është thelbësore që sektori i sigurisë, të trajtohet me prioritet. Sot kërkojmë zgjidhje të menjëhershme… Nuk ka lojë me ushtrinë”, ka deklaruar ndër tjera, deputeti Bekë Berisha.

Çështja e ushqimit të FSK-së është diskutuar që rreth dy javë nga partitë politike e opinioni publik.

Për këtë temë, Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar një raport të detajuar nga Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari dhe e ka ftuar në takim atë dhe Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com këshilltari për media në presidencë, Bekim Kupina, më 12.10.2024.

Problemi me ushqimin e ushtarëve të Kosovës është krijuar pasi që kontrata për tenderin e fundit të shpallur për këtë qëllim ende nuk është nënshkruar dhe rrjedhimisht ende nuk ka filluar të zbatohet. Në anën tjetër, tenderit paraprak i ka skaduar kontrata më 30.09.2024.

Ushtarakët e Kosovës aktualisht janë duke u ushqyer nga kuzhinierët e Qendrës Studentore dhe nga ata të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Opozita po akuzon Qeverinë që ushtarët po ushqehen me cilësi të dobët dhe sasi të vogël, ndërsa Ministria e Mbrotjes ka mohuar këto akuza duke thënë se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë.

Sipas Ministrisë, e vetmja gjë me të cilën po përballen është mungesa në numër e stafit teknik, pasi kuzhinierët, “veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Studentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës”.

“Ky problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh”- ka thënë Ministria.

Disa media kanë raportuar se Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari i ka dërguar një letër Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ku ndër të tjera ka shkruar se “do të ndërpriteshin aktivitetet e FSK-së, në rast se nuk do të gjendet ndonjë zgjidhje rreth këtij problemi”.

Lidhur me këtë letër, Ministria ka thënë se ajo është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vet-qëndrueshmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi.

KALLXO.com në shtator ka publikuar hulumtimin për historinë e tenderëve njëburimor që Ministria e Mbrojtjes i dha për ushqimin e ushtarëve të FSK-së.

Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të pa përgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), e njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.

Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ndjekja e procedurës së negociuar për furnizimin me ushqim për ushtarët është kritikuar nga opozita, duke e cilësuar si të dyshimtë zgjedhjen e kësaj procedure, ndërsa Ministria ka thënë se nevoja ka qenë emergjente dhe për këtë arsye është zgjedhur kjo procedurë.

 


Postuar

nga