Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar takim bilateral me ministrin e Shtetit për Europë, Amerikë Veriore dhe Territore të Mbretërisë së Bashkuar, Stephen Doughty bashkë me të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.
Kurti takimin e ka zhvilluar në Në Berlin, në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.
Në takim thuhet se u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, fushat e ndryshme të bashkëpunimit ndërshtetëror, me theks tek ajo e mbrojtjes, proceset integruese Euro-Atlantike të Kosovës dhe mundësitë e reja në shërbim të thellimit të raporteve bilaterale.
“Në 10-vjetorin e Samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri theksoi që marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kyçe për bashkëpunim e integrim rajonal”, shkruan ZKM.
Ndërkaq, të dy uruan Forcën e Sigurisë së Kosovës për suksesin në Garën “Cambrian Patrol” në Mbretërinë e Bashkuar.
Në kryeqytetin e Gjermanisë, në Berlin të hënën më 14.07.2024 do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit.
Në këtë samit, si çdo vit tjetër pritet të nënshkruhen marrëveshje që kanë ndikim në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në fillim ishin shpërfaqur dyshime se mos Kosova nuk do të marr pjesë ose të përjashtohet për shkak të bllokimit të mallrave nga Serbia.
Kështu kishte paralajmëruar emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin që nga fundi i gushtit.
Sarrazin vazhdimisht kishte bërë presion ndaj Kosovës që të zhbllokohen mallrat nga Serbia si formë e bashkëpunimit rajonal ashtu siç kërkon Procesi i Berlinit.
Sidoqoftë, skenari ndryshoi pasiqë Kosova zhbllokoi mallrat serbe në pikën kufitare në Merdare.
Kjo hapi rrugën që të merret vendimi që Kosova mos të përfaqësohet më nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (CEFTA), por nga zyrtarët e saj shtetërorë.
CEFTA është e lidhur ngushtë me Procesin e Berlinit ngase ideja e kësaj të fundit është që të rritet bashkëpunimi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe lehtësimin e integrimit të tyre në Bashkimin Europian.
Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel.