Jeton, Istref dhe Ardian Thaqi, tre të arrestuarit nën dyshimin për veprën penale të fajdesë janë sjellë para Gjykatës së Prizrenit sot më 04.10.2024.
Ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Masën e paraburgimit e ka caktuar gjykatësi Fatmir Krasniqi, pasi prokurori Atnor Skoro kishte kërkuar që ndaj të njëjtëve të caktohej kjo masë e sigurisë.
KALLXO.com ka qenë në vendin e ngjarjes gjatë arrestimeve si dhe gjatë bastisjeve.
Gjatë seancës, prokurori i shtetit Atnor Skoro tha për të pandehurin Jeton Thaqi se dyshohet se nga muaji janar 2024 e deri më 02.10.2024 në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, për vete kontrakton një shumë të dukshme jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit.
Sipas kërkesës së prokurorisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit J. A., pasi që i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin për të investuar në biznesin individual familjar.
Tutje, në kërkesë bëhet e ditur se i pandehuri të dëmtuarit i jep dy herë para në shuma prej nga 1000 euro me kamatë prej 25% që i bie 500 euro në muaj dhe i kishte kthyer në muajin mars të vitit 2024, që i bie 1000 euro kamatë për dy muaj.
Në dosjen e prokurorisë thuhet se pjesa e mbetur 1000 euro me kamatë, i pandehuri ia ka bërë kamatën 500 euro javën, dhe për vlerën prej 2000 euro deri më datën 02.10.2024, vlera e kamatës ka arritur deri në 20,000 euro, me ç’rast që i dëmtuari tek objekti ndërtimor “…”, ku punon i pandehuri, ia jep edhe shumën prej 5000 euro, në emër të fajdesë, ku edhe arrestohet në flagrancë nga ana e Policisë.
Me këto veprime pretendohet se i pandehuri Jeton Thaqi ka kryer veprën penale – Fajdeja.
Në bazë të kërkesës së prokurorisë për caktimin e paraburgimit, për të pandehurit Istref Thaqi dhe Ardian Thaqi dyshohen se nga muaji janar 2024 e deri më 02.10.2024 në Prizren, duke vepruar në bashkëveprim me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, për vete kontrakton një shumë të dukshme jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit.
Tutje, në kërkesë thuhet se duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit J. A., pasi që i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin për të investuar në biznesin individual familjar, i dëmtuari nga i pandehuri Istref Thaqi merr një veturë të markës “Golf V”, në shumën prej 5 mijë e 500 euro të cilën shumë ka pasur t’ia kthejë të pandehurit më datë 15.02.2024.
Në bazë të kërkesës së prokurorisë thuhet se, pasi që i dëmtuari nuk kishte arritur t’ia japë paratë, për këto para i kërkon në emër të fajdesë 1000 euro në javë dhe deri në muajin prill 2024, i dëmtuari ia ka paguar në emër të fajdesë shumën prej 3500 euro, të pandehurit Ardian Thaqi, i cili është djali i të pandehurit Istref Thaqi.
Sipas dosjes i dëmtuari edhe dy herë në shuma prej 500 euro në emër të fajdesë ia ka dhënë të pandehurit Ardian Thaqi, ndërsa për pjesën e shumës tjetër duhet t’ia paguajë të pandehurit Isref Thaqi, dhe deri më datën 02.10.2024, i dëmtuari në emër të fajdesë ka paguar kamatë deri në 10,600 euro.
Me këto veprime dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – Fajdeja.
Nga kërkesa e prokurorisë thuhet se në këtë çështje penale ndaj të pandehurve të lartcekur ekziston dyshimi i bazuar.
Gjatë kësaj seance, mbrojtësi i të pandehurit Jeton Thaqi, avokat Valdet Hoxha, e kundërshtoj kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.
Ndër të tjera, tha se ‘’Si kryefamiljar e mban familjen dhe kujdeset për nënën e tij të sëmurë me kancer në fazën e fundit të metastazës ku kujdesi është i nevojshëm 24 orë’’– tha avokati Valdet Hoxha në lidhje me kundërshtimin e kërkesës së prokurorisë.
Ndërsa, i pandehuri Jeton Thaqi tha se mbështetë fjalën e mbrojtësit të tij, dhe shtoi se ‘’Veç qat nënë e kam, në fazë të fundit – nuk e di’.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Istref Thaqi, avokat Arben Ramadani deklaroi se ‘’Veprimet janë individuale bile edhe tani kishim dashtë që të përshkruhet veprimet vetëm të klientit tim pa i lidhur me të pandehurin Ardian’’.
Me fjalët e avokatit, u pajtua edhe i pandehuri Istref Thaqi.
Gjithashtu, në këtë seancë u deklarua edhe mbrojtësi i të pandehurit Ardian Thaqi, avokat Besim Morina, i njëjti i propozoi gjykatës që të pandehurve të iu shqiptohet ndonjë masë tjetër alternative.
Por, edhe pas kundërshtimeve nga ana e mbrojtjes, gjyqtari Krasniqi mori vendim që të tre të pandehurve t`iu caktohet masa e paraburgimit.
Masa e paraburgimit të pandehurve të lartcekur iu caktua në kohëzgjatje prej një muaji. Ashtu që nga data 02.10.2024 deri me datë 02.11.2024.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.