Katër persona janë duke u intervistuar nga Prokuroria e Mitrovicës nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, me pretendimin se kanë punësuar jashtëligjshëm punëtorë në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit për gjashtë vite.
Kështu është bërë të ditur për KALLXO.com nga Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
“Me autorizim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, nga ana e Njësisë së Hetimeve për Krim Ekonomik dhe Korrupsion – Veri, janë duke u intervistuar në cilësinë e të dyshuarve katër (4) persona, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në vazhdën e këtyre veprimeve është kërkuar që të sigurohet dokumentacioni, gjegjësisht kontratat e punës së të punësuarve nëpër komuna dhe drejtori komunale të arsimit”- thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Sipas prokurorisë rasti është duke u hetuar në koordinim me policinë.
KALLXO.com ka raportuar më 04.10.2024 se ish nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Adriana Hoxhiq, është intervistuar nga Departamenti i Krimeve Ekonomike.
Lidhur me këtë zhvillim ka folur për KALLXO.com avokati i saj Musa Damati.
Sipas tij, prokuroria po pretendon se Hoxhiq ka punësuar jashtëligjshëm punëtorë shqiptarë në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit gjatë kohës kur ishte nënkryetare e Komunës së Mitrovicës së Veriut.
“Klientja ime, ish ministrja Adriana Hoxhiq është intervistuar më 03.10.2024 në Departamentin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës lidhur me disa pretendime për punësime që ndërlidhen më punësimet jo të rregullta gjatë mandatit së Komunës së Mitrovicës së Veriut për periudhën deri në maj 2022. Konkretisht klinetja ime po akuzohet për punësimin e shqiptarëve dhe në sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit, do të thotë për mundësinë e dhënë që shqiptarët të punësohen dhe të integrohen. E njëjta tani po intervistohet. Në lidhje me këtë prokuroria po mendon se mos ka ndonjë parregullsi në nënshkrimin e kontratave”- kishte thënë Damati.
Ai shtoi se pas intervistimit, Hoxhiq është liruar.
“Klientja ime Adriana Hoxhiq njihet si figurë e cila ka luajtur një rol konstruktiv në integrimin e komuniteteve dhe në shtrirjen e Pavarësisë së Kosovës edhe në pjesën e Mitrovicës së Veriut në vitet dhe në periudhën kur një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Menjëherë pas intervistimit e njëjta është liruar dhe ne presim që hetimet shumë shpejt të përfundojnë”- kishte thënë Damati për KALLXO.com.
KALLXO.com ka raportuar se nga viti 2013 deri në vitin 2019, 48 persona dyshohet se kanë marrë paga për gjashtë vite në shkollat e Mitrovicës së Veriut pa shkuar fare në vendet e punës për gjashtë vite.
Për këtë Shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Visar Syla kishte thënë se këta 48 punëtorë janë paguar nga buxheti i komunës 32,083.90 euro në muaj, apo 385,006.80 euro çdo vit.
Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë kishte thënë për KALLXO.com se kanë marrë një raport në lidhje me këtë dhe shtoi se do të veprohet sipas ligjit.
“Nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është deleguar në Kompetencë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë raport informues me informatë të paraqitur nga Policia e Kosovës, që është pranuar në PSRK, me pretendime për përpilim të kontratave për vende pune, mjekë, infermierë dhe mësimdhënës. Lidhur me këtë do të veprohet sipas ligjit”, kishte thënë Preteni për KALLXO.com.Gjithashtu, Syla kishte thënë se një numër i kontratave të cilat janë ndërprerë i përkasin edhe sektorit të shëndetësisë primare si dhe asaj sekondare.
https://kallxo.com/lajm/komuna-e-mitrovices-veriore-i-nderpret-48-kontrata-punetoreve-dyshohen-se-per-gjashte-vite-u-pagan-pa-shkuar-ne-pune/