Një grumbull politikanësh patën reaguar në tetor të vitit 2018 kur një grup i pelegrinëve serbë, që po synonin të vizitonin një kishë të vjetër në fshatin Studenicë të Istogut, u sulmuan me gurë nga banorë të zonës.
Sulmi ishte dënuar nga atëherë presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj.
Sipas të dhënave, Policia arrestoi pesë protestues për këtë ngjarje.
Por vite më vonë, zona sërish nuk e ka zgjidhur problemin dhe konflikti ende nuk është zgjidhur plotësisht.
Në vitin 2024 konflikti u riciklua me akte vandale ndaj rrethojës së kishës ndërsa motivi i sulmit ende është i paqartë për autoritetet.
Në vitin 2023 Komuna e Istogut për të ruajtur zonën kishte vendosur që kishën ta rrethonte me një rrethojë të metaltë me arsyetimin që zona duhet të mbrohet si trashëgimi kulturore.
Sipas të dhënave, Komuna investoi disa mijëra euro për të ndërtuar rrethojën e cila pak javë pas ndërtimit u demolua nga persona të panjohur.
Mes datave 05.03.2024-06.03.2024 rrethojat me tela që ishin vendosur nga Komuna e Istogut ishin shkulur nga vendi.
Rrethoja është tashmë e dëmtuar ndërsa autoritetet nuk kanë arritur të zbulojnë se kush qëndron prapa aktit.
“Së fundmi është bërë një vizitë e disa klerikëve me 05.03.2024. Komuna është informuar se rrethojat janë demoluar. Rrethojat janë gjetur të demoluara mëngjesin e datës 06.03.2024 menjëherë pas vizitës së klerikëve fetarë”- thuhet tutje në përgjigjet e Komunës së Istogut për KALLXO.com.
Në fshatin Studenicë, në bazë të të dhënave të Komunës, banojnë vetëm banorë të komuniteti shqiptar.
Komuna dhe njerëzit e fshatit nuk identifikojnë qartë nëse rrethojat u dëmtuan nga pelegrinët apo nga banorët lokalë.
Policia në Pejë i ka thënë KALLXO.com se tashmë është dorëzuar kallëzimi penal në Prokurorinë Themelore të Pejës por kalëzimi penal nuk i identifikon kryesit e veprës penale.
Në Ballkanin Perëndimor grupet ekstremiste, kryesisht ato të bazuara në etno-nacionalizëm, kanë përdorur objektet e kultit për të provokuar tensione ndëretnike.
Grupet e ekstremit të djathtë në disa raste kanë synuar që t’i shpallin kishat pronë të një etnie apo tjetre, duke synuar t’i përjashtojnë nga pronësia komunitetet lokale.
Enver Boletini është një veprimtar në rajonin e Istogut. Ai punon si drejtor i muzeut dhe njeh të kaluarën e zonës.
Reagimin e komunitetit ndaj pelegrinëve ai e lidh me problemet me drejtësinë transicionale sidomos me mosadresimin e krimeve të luftës.
“Në fshat ka pasur masakra, dhe kur kanë ardhur ata pelegrinët, për banorët ka qenë e papërballueshme dhe kanë dalë janë konfrontu me pelegrinët. Aty veç Policia ka ndërhyrë sepse kish mujtë me qenë krejt ndryshe situata” – thotë Boletini.
Ai thotë se veprimet e tilla fillimisht janë ndikuar nga mosinformimi i drejtë i banorëve në atë zonë se mbetjet e kishës datojnë shekuj me parë dhe i takojnë edhe historisë shqiptare.
“Kisha ka qenë ortodokse, daton shekuj më parë. Ka pasur lloj- lloj dezinformatash për atë kishë, dhe dikush nga pakënaqësia i ka prishë e dëmtu, nuk mundem me ditë saktë çka ka ndiku”- thotë Boletini për KALLXO.com.
Ai tregon misionin e tij për t’u bërë apel qytetarëve për të ruajtur këtë trashëgimi.
“Mbi 20 herë nëpër emisione të ndryshme kam thënë, kam bërë thirrje, kam kërkuar që të ruhet trashëgimia e gjithashtu kam tregu fillet e asaj kishe”- vazhdon Boletini.
Në fshat banorët e kanë të paqartë se çka ka ndodhur.
Kryetari i fshatit Studenicë, Sadik Baca, tregon për fillet e kësaj kishe dhe shton se është e mbrojtur por gabimi ishte se rrethoja nuk kishte një pllakë në të gjitha gjuhët.
“Ka dalë tenderi me rrethu kishën, u rrethu kisha, shumë mirë, dhe pllakata ka qenë e vendosur dhe ka qenë vetëm në gjuhën shqipe, u dashtë me u shkru edhe shqip, edhe serbisht, edhe anglisht. Janë gjetur në të kaluarën dëshmi të rëndësishme të cilat tregojnë se kisha ka fille iliro-dardane e jo serbe” – thotë Baca.
Përcaktimi se cilës periudhë i përket kisha duket se është shndërruar në përballjen e komunitetit.
Një natë para se të ndodhte ngjarja, sipas Bacës, kisha u vizitua nga disa pelegrinë që besohet se ishin serbë.
“Tash kohët e fundit kanë ardhur dy prifta. Nuk e di a ka qenë najkush prej nivelit lokal të informuar. Sikurse sonte kanë ardhur ata, të nesërmen janë rrëzu rrethojat” – thotë Baca.
Baca tregon se ende nuk kanë as edhe një informacion kush dhe çka saktësisht ndodhi mes datave 5 dhe 6 mars 2024.
“Këtu është dilemë e pikëpyetje e madhe, ose kanë reagu serbët, i kanë rrëzuar natën pasi janë rrethuar ato ose dikush prej shqiptarëve po supozoj se kur kanë ardhë priftërinjtë i kanë rrëzuar, por ende nuk ka asgjë zyrtare” – shtoi tutje ai.
Komuna e Istogut, e cila ka ndërtuar rrethojën, planifikon të rindërtojë pjesën mirëpo në punën me komunitetin ende nuk është punuar direkt për të sqaruar situatën.