Izraelitët shënojnë sot (07.10.2024) njëvjetorin e sulmit shkatërrimtar të “Hamasit”, që shkaktoi një luftë e cila nxiti protesta anembanë botës dhe rrezikon të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë në Lindje të Mesme, shkruan Reuters.
Ceremonia dhe protestat në Jerusalem dhe në Izraelin jugor është paraparë të fillojnë në orën 06:29 kur kishte nisur sulmi i militantëve palestinezë. Kjo ishte ora kur “Hamasi” kishte nisur hedhjen e raketave në drejtim të Izraelit jugor në mëngjesin e 7 tetorit.
Militantët vranë më shumë se 1.200 persona dhe i morën më shumë se 250 të tjerë në Gazë, ka bërë të ditur Qeveria izraelite.
Forcat e sigurisë janë alarmuar dhe janë në gjendje gatishmërie në ditën e përvjetorit, ka bërë të ditur Qeveria. Druhet se mund të ketë sulme të mundshme të planifikuara të grupeve palestineze në përvjetorin e ditës më të përgjakshme të konfliktit prej disa dekadash ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.
“Hamasi” kreu sulmin në komunitetet izraelite përreth Gazës dhe fushata e pareshtur e Izraelit ishte kundërpërgjigje ndaj sulmit, duke destabilizuar Lindjen e Mesme, me vrasje dhe shkatërrim masiv. Këto zhvillime kanë tmerruar njerëzit anembanë botës.
Jashtë Izraelit, demonstrata pritet të ketë anembanë botës kundër ofensivës në Rripin e Gazës, ku janë kryer shumica e sulmeve ajrore dhe tokësore izraelite. Gaza është një rajon me dendësi të madhe. Sulmet izraelite kanë lënë të vdekur së paku 42 mijë persona, kanë bërë të ditur autoritetet palestineze të shëndetësisë, dhe janë zhvendosur më shumë se 2.3 milionë persona.
Për Izraelin, sulmi i papritur nga grupi palestinez islamik ishte një prej dështimeve më të mëdha të sigurisë së këtij vendi që krenohet me ushtrinë e tij të sofistikuar dhe të fortë. Sulmi shkaktoi ditën më fatale për jetën e njerëzve në Izrael, duke cenuar edhe ndjenjën e sigurisë së izraelitëve, por edhe besimin e tyre në mesin e liderëve të vendit.
Por fokusi i luftës ndërroi drejtim në veri në kufi me Libanin, ku forcat izraelite kanë këmbyer zjarr me “Hezbollahun”, të mbështetur nga Irani, pasi grupi militant lansoi një mori raketash kundër Izraelit në shenjë të solidarizimit me “Hamasin”.
Çfarë nisi si një këmbim i përditshëm zjarri u përshkallëzua në ofensivë bombardimesh kundër bastioneve të “Hezbollahut” në Bejrut dhe me një ofensivë tokësore në fshatrat kufitare të Libanit jugor. Sulmet ajrore të dy javëve të fundit kanë lënë të vdekur më shumë se një mijë persona në Liban dhe më shumë se një milionë janë detyruar të zhvendosen.
Vrasja e disa liderëve të “Hamasit” dhe “Hezbollahut” dhe sulmet e inteligjencës izraelite nëpërmjet pajisjeve komunikuese të “Hezbollahut” kanë kthyer paksa besimin e izraelitëve në mesin e liderëve të tyre. Por sulmet shkaktuan edhe një kundërpërgjigje të Iranit, i cili i hodhi më shumë se dyqind raketa drejt Izraelit më 1 tetor, por Izraeli është zotuar se do të hakmerret ashpër.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com