RRUFE

Pesë raste të dhunës në familje të raportuara brenda një dite në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje janë regjistruar brenda 24 orëve në Kosovë. Në katër prej këtyre rasteve është raportuar për të arrestuar. Rastet kanë  ndodhur në Lipjan, Obiliq, dy në Prishtinë e një tjetër në Leposaviq.

Një burrë është arrestuar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshjeje kishte sulmuar fizikisht me mjet të fortë dy burra në Lipjan.

“Viktimat nuk kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”- bëhet e ditur në raport.

Në Obiliq një grua është arrestuar sepse dyshohet se i shkaktoi lëndime trupore një gruaje tjetër pas një mosmarrëveshjeje.

“Është raportuar se viktima femër kosovare pas një mosmarrëveshje me të dyshuarën femër shtetase të Shqipërisë, ka pësuar lëndime trupore”- thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë viktima është dërguar për tretman mjekësor ndërsa e dyshuara pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është liruar me procedurë të rregullt.

Dy raste të dhunës në  familje kanë ndodhur në kryeqytet.

Një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka rrahur e kërcënuar një  grua.

“Me datë 21.10.2024 i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”- thuhet në raportin 24 orëdh të Policisë së Kosovës.

Një grua ka raportuar në  Policinëe Kosovës se ka pasur dhunë psiqike dhe është kërcënuar përmes telefonit nga një  burrë.

Sipas organeve të rendit, lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti është në procedurë hetimore.

Në Leposaviq një burrë është arrestuar sepse i njëjti dyshohet se në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë fizike e psiqike te familjarët e tij.

Me urdhër të  prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.


Postuar

nga