Policia e Kosovës ka gjetur në bagazhin e një veture rreth 10 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë të tregut 450,000 euro, më 21.10.2024, si dhe ka ndaluar një të dyshuar.
Sasia e substancës së dyshuar narkotike është gjetur nga Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë, pas angazhimeve operative dhe hetimore në rrugën magjistrale Fushë Kosovë-Prishtinë.
“Gjatë operacionit policor të koduar ‘007’, Policia e Kosovës ka ndaluar një veturë të dyshuar me targa vendore, të cilën e drejtonte personi i dyshuar Z. J., shtetas kosovar, ku gjatë kontrollit të veturës së tij, në bagazh janë gjetur 10 kilogramë e 224 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë të tregut 450000 (katërqind e pesëdhjetë mijë euro)” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 22.10.2024.
Si rrjedhojë, Policia me urdhër të prokurorit kompetent të krimeve të rënda ka kryer bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar, në komunën e Graçanicës.
Në bazë të bastisjes së realizuar, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: 10 kilogramë e 224 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, një veturë me targa vendore, 1445 euro, 8970 dinarë, dy telefona celularë dhe 17 kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave – të konfiskuara nga Dogana e Republikës së Kosovës.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është inicuar rasti për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge”.