RRUFE

Policia sekuestron armë në katër raste të ndara në Prishtinë, Pejë e Ferizaj

Policia e Kosovës ka njoftuar se në katër raste të ndara ka sekuestruar armë të ndryshme në tri qytete të Kosovës.

Dy nga këto raste kanë ndodhur në Prishtinë gjatë 24 orëve të fundit, njëri në Ferizaj dhe tjetri në Pejë.

Policia ka thënë se në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë më 22.10.2024 në 08:30h është arrestuar i dyshuari për shkak se gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur dhe sekuestruar dy thika.

Sipas PK-së me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Tutje është thënë se rasti i dytë në Prishtinë ka ndodhur në rrugën “Lidhja e Pejës” po ashtu më 22.10.2024 në 23:35h.

Policia njoftoi se është arrestuar i dyshuari për shkak se njësiti policor te i njëjti, derisa kishte qenë me veturë, gjatë kontrollit kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 7 copë fishekë.

Në raportin policor u theksua se i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti i regjistruar në Ferizaj ka ndodhur në fshatin Prelez i Muhaxherëve më 22.10.2024 në 20:00h.

Lidhur me rastin, Policia tha se nga i dyshuari në shtëpinë e tij janë konfiskuar dy pistoleta, një pushkë automatike dhe 100 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Policia theksoi se i dyshuari është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa në rastin e ndodhur në rrugën “Papa Klementi” në Pejë më 22.10.2024 në 11:00, i arrestuar ka mbetur një burrë për shkak se gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një thikë.

Me urdhër të prokurorit, Policia tha se i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.


Postuar

nga