RRUFE

Presidentja takon shefin e EULEX-it, flasin për zhvillimet në kufi me Serbinë

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, të martën, më 15.10.2024.

Sipas komunikatës së Presidencës, ata diskutuan për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe sundimit të ligjit, me theks të veçantë në veri dhe në kufi me Serbinë.

“Presidentja Osmani dhe shefi i EULEX-it Barbano diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, brenda mandatit të EULEX-it për monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie” – thuhet në komunikatë.

Osmani ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për zbatimin e rendit dhe ligjit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit.

Më 14.10.2024, Policia e Kosovë ka thënë se një veturë me targa të Serbisë, që dyshohet të jetë e Xhandarmërisë serbe, ka shkelur vijën kufitare në Merdarë.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar më 12.10.2024 se Ushtria e Serbisë ka lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës.

Ndaj kësaj deklarate, Forcat e Armatosura të Serbisë kanë reaguar duke thënë se pjesëtarët e tyre kanë qenë në atë zonë për parandalimin e kontrabandës me drunj që po zhvillohej aty.


Postuar

nga