RRUFE

Prishtina në sfidë për kalimin e buxhetit për 2025, rrugët ligjore në rast të dështimit

Në dy seanca të jashtëzakonshme gjatë muajit shtator, Komuna e Prishtinës dështoi të hedh në votim buxhetin për vitin 2025 pasi kishte mungesë kuorumi. Ligjërisht, nëse buxheti nuk kalon deri në dhjetor, komuna vitin vijues mbetet me buxhet të vjetër dhe rrezikon shpërndarjen e Kuvendit, por si erdhi situata deri këtu dhe çfarë parashihet sipas ligjit?

Për të kuptuar këtë, duhet parë zhvillimet që kanë përcjellë mandatin qeverisës të kryetarit Përparim Rama, ai ka gati një vit që qeverisë me pakicë, pasi ish partneri i koalicionit PDK zyrtarizoi daljen në shkurt të këtij viti nën arsyetimin se ‘nuk iu dha hapësirë të kontribojë në hartim të pikave që shkonin ne asamble’, derisa, bojkoti i seancave nga këta të fundit kishte nisur qysh në fund të 2023.

Kryetari Përparim Rama mori mandatin në janar 2022, derisa deri në shkurt (2024) sa ishte në partneritet më PDK-në kishte qeverisje më stabile pasi përbënin gjysmën e antarëve të asamblesë nga 50 sa janë në tërësi, por me prishjen e koalicionit, LDK ka mbetur me 14 asamblistë dhe përkrahje të partive AAK, ARK, NISMA, derisa opozita (LVV, PDK), përpos që nuk po i mundëson kalimin e shumë pikave, po ndihen ‘të irrituar’ që Rama edhe në këtë situatë nuk po i merr për bazë opinionet e tyre, siç është rasti me projekt buxhetin për vitin 2025.

Gjatë këtij mandati u bë edhe shkarkimi e rivotimi i kryetarit të Kuvendit Komunal, e aksionarëve nëpër ndërmarrje publike, e githa kjo pasi Rama nuk ka shumicën për të ndalur proceset, dhe ‘drejtimin’ e Kuvendit tashmë po e dominon opozita.

‘Bllokada e buxhetit’, çfarë thotë pozita e çfarë opozita?

Lidhur me gjithë këto zhvillime në Kuvendin Komunal të Kryeqytetit, Kryetari i Prishtinës Përparim Rama në disa paraqitje publike, por edhe në asamble ka akuzuar opozitën për ‘bllokadë’ të buxhetit, pasi këta të fundit u thirrën në mungesë transparence e shkelje ligjore.

Kryetari Përparim Rama tha se kanë qenë transparent në përpilim të buxhetit dhe se kjo që po bëjnë opozita është “tendencë e bllokimit të buxhetit”, në seancën e jashtëzakonshme të komunës më 30.09.2024

Nënkryetari i Prishtinës Alban Zogaj në një deklarim për Kallxo.com u shpreh se janë në kontakt me opozitën dhe besojnë se do gjejnë një zgjidhje të përbashkët për kalim të buxhetit deri në dhjetor.

“Ne në vazhdimësi gjatë muajit tetor-nëntor do të tentojmë ta votojmë buxhetin e Prishtinës për vitin 2025, normalisht jemi në kontakt me të gjitha  partitë politike për të gjetur një gjuhë dakordance, kemi kohë deri sa të shkon ligji për buxhet në Kuvend  dhe besoj që deri atëherë do gjejmë një marrëveshje të përbashkët”, u shpreh Zogaj.

Zogaj shtoi se “është obligimi partive opozitare të qëndrojnë në Kuvend kur diskutohet buxheti”.

Derisa, shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri në një deklarim për Kallxo.com u shpreh se në seancën e 18 shtatorit ka kërkuar transparencë në projektet buxhetore si dhe organizim të dëgjimit publik për projekt buxhetin.

“S’ka pas vullnet të publikohen projektet për qytetarë dhe as dëshirë për të organizuar dëgjim publik ku prezantohet Draft Buxheti 2025 para qytetarëve nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama”- tha Retkoceri, 

Sipas tij, përveç mosrespektimit të ligjit për diskutimet me qytetarë dhe shkeljeve të afateve ligjore për Shqyrtimin e Buxhetit Komunal nga Kuvendi Komunal, “as ne si asamblistë, si përfaqësues të zgjedhur nga qytetarët e Prishtinës, nuk i dimë projektet sipas kodeve buxhetore dhe kemi mungesë të paprecedent të informatave mbi projektet”- shtoi tutje ai.

Retkoceri theksoi se fajtor për këtë gjendje nuk është opozita por, vetë Rama me shkeljet në këtë proces.

“Nëse po kërkohet fajtori për dështimin në miratimin e buxhetit, adresa është te koalicioni LDK-AAK-Nisma i udhëhequr nga Përparim Rama, i cili nuk nuk ka transparencë e llogaridhënie dhe nuk po i eviton shkeljet ligjore sa i përket planifikimit të Draft Buxhetit për vitin 2025. Opozita nuk është fajtore dhe nuk ka obligim t’i nënshtrohet mospërfilljes, mungesës së transparencës dhe arrogancës së qeverisjes komunale në Prishtinë”- ka thënë Retkoceri.

Nora Kelmendi në emër të grupi të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal më 30.09.2024 u shpreh se nuk shohin vizion në këtë buxhet.

“Ky dokument në një qeverisje normale do të duhej të përcaktoj të ardhmen e kryeqytetit në vitin tuaj të fundit të qeverisjes. Buxheti është punuar bazuar në dëshira të njerëzve të caktuar partiak të LDK dhe të tjerëve me të cilët jeni në koalicion”- u shpreh ajo.

Lidhur me këtë situatë, Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) iu referua dy ligjeve për situata të tilla.

“Janë dy ligje në fuqi të cilat e rregullojnë këtë çështje, ligji për menaxhimin e financave publike që thotë se nëse Kuvendi Komunal dështon ta miratoj dhe dorëzoj ministrit të financave propozim buxhetin deri më 1 mars, atëherë ministri emërton një administrator financiar në atë komunë”.

“Në anën tjetër ligjin për vetëqeverisje lokale thekson se, Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale njofton qeverinë për mos funksionim të komunës dhe Qeveria mund (nëse do)  ta shpërndajë Kuvendin e Komunës”- shtoi me tej Ibrahimi.

Ai theksoi se nëse komuna “hyn në vitin e ardhshëm pa buxhet të miratuar e merr pjesë buxhetin e këtij viti, jo të planifikimeve që ka bërë për vitin e ardhshëm”.

Nënkryetari Alban Zogaj në një intervistë për ‘Tëvë 1’ po ashtu përmendi rrezikun nëse buxheti nuk kalon deri në dhjetor.

“Nëse buxheti nuk miratohet deri në dhjetor kur edhe shkon për votim në Kuvend të Kosovës, atëherë futemi në një zonë të rrezikshme. Sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, por edhe për financa  publike, në qoftë se nuk miratohet buxheti i komunës atëherë shkon asambleja në zgjedhje”- ka thënë ai.

 

Çfarë parashihet me ligj në rast të dështimit për miratim të buxhetit?

Janë dy ligje që rregullojnë çështjen e buxhetit, Ligji për vetëqeverisje lokale dhe Ligji për menaxhimin e Financave Publike.

Sipas Ligjit per Vetëqeverisje Lokale, propozimet buxhetore duhet të dorëzohen para datës 15 nëntor të vitit të ardhshëm fiskal (2025).

Derisa, Kuvendi Komunal shpallet jofunksional nëse rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve. Në rast të tillë, ministria për qeverisje lokale (MAPL) njofton komunën për dështimin dhe kërkon që të ndërmerren masa të duhura në mënyrë që të sigurohet kryerje e funksionit komunal.

Kuvendi i Komunës konsiderohet jo funksionues nëse:

-nuk e zgjedh kryesuesin 30 ditë pas themelimit;

-nuk miraton statutin e saj 60 ditësh pas themelimit;

– nuk miraton buxhetin sipas afatit të paraparë me ligjin përkatës; ose

-nuk mban mbledhje për një periudhë më të gjatë se 6 muaj;

Pas njoftimit që MAPL i dërgon qeverisë, kjo e fundit mund ta shpërndajë kuvendin e komunës jofunksionues. Derisa, zgjedhjet e reja për kuvendin e komunës mbahen në pajtim me ligjin për zgjedhjet komunale.

Kurse, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, nëse kuvendi komunal dështon që ta miratojë dhe t’ia dorëzojë ministrit propozim-buxhetin dhe kërkesën për ndarje buxhetore, Ministri është i autorizuar që të përgatitë propozim-buxhetin dhe kërkesën për ndarje buxhetore për këtë komunë, mirëpo nuk janë më të mëdha se buxheti dhe ndarjet buxhetore të komunës për vitin ekzistues fiskal, (në këtë rast me projeksion të vitit aktual pasi ai për 2025 nuk është dorëzuar në kohë).

Nëse kuvendi komunal dështon që ta miratojë kërkesën për ndarje buxhetore deri me 1 Mars (viti i ardhshëm fiskal), atëherë asnjë shpenzim nuk duhet të bëhet nga ose në emër të komunës në fjalë deri në kohën kur kuvendi komunal ta miratojë dhe t’ia dorëzojë Ministrit këto dokumente.

Sazan Ibrahimi bëri të ditur se nuk ka pas ende ndonjë rast kur komunat kanë dështuar të kalojnë buxhetin brenda vitit fiskal.

Buxheti për vitin 2025 për Prishtinën pritet të jetë 128 milionë euro.