RRUFE

Prizren, arrestohet një inspektor i ndërtimit

Policia e Kosovës më 07.10.2024 ka arrestuar një person të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me ndërtimin e një kompleksi në fshatin Landovicë në Prizren.

Sipas njoftimit, dyshohet se inspektori përgjegjës i ndërtimit nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura ligjore, duke lejuar që pronari ta modifikojë objektin.

“Pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore në lidhje me rastin janë siguruar dëshmi se pronari i objektit posedon leje ndërtimi për një projekt, ndërsa pas fillimit të punimeve i njëjti ka devijuar ndërtimet. Nga dëshmitë e rastit është siguruar dyshimi i arsyeshëm se inspektori përgjegjës i ndërtimit nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura ligjore, duke lejuar që pronari ta modifikoj objektin, dhe gjithashtu ka dështuar për të ekzekutuar konkluzionin për rrënim duke ndërmarrë vetëm parcialisht rrënimin”- thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se lidhur me rastin, i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe i njëjti me aktvendim mbi ndalimin është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.


Postuar

nga