RRUFE

Profesorët e UP-së ‘hezitojnë’ të jenë pjesë e Këshillit të ri të Etikës në UP

Në mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës që u mbajt sot, më 30.10.2024, nuk u propozuan emra të profesorëve për t’u emëruar anëtarë të Këshillit të ri të Etikës të UP-së.

Rektori i ri i UP-së, Arben Hajrullahu, ka treguar se i ka kontaktuar disa profesorë e profesoresha të UP-së që të pranojnë për t’i propozuar për anëtarë të Këshillit të ri të Etikës të UP-së, por vetëm një profesor dhe një profesoreshë i janë përgjigjur pozitivisht.

“Kam kontaktuar disa kolege dhe disa kolegë, kam provuar me ua shpjegu rëndësinë që me qenë njerëz me etikë e profesionistë edhe m’u angazhu. Prej krejt atyre që i kam kontaktuar personalisht me email duke i ftu që me pranu me i propozu me juve për m’i kalu në këtë komision [Këshill të Etikës], vetëm një profesoreshë dhe një profesor kanë pranu” – ka thënë rektori Hajrullahu më 30.10.2024.

Për rektorin Hajrullahu, Këshilli i Etikës është Këshilli i këshillave, por ai uroi që ky Këshill të ekzistojë, por të ketë më së paku punë në Universitet.

Hajrullahu kërkoi që jo të gjithë anëtarët e Këshillit të Etikës të UP-së të jenë burra, e të krijohet “klub i burrave”. 

Ai tha se do t’u shkruajë përsëri profesorëve e profesoreshave të UP-së për t’i pyetur nëse janë të interesuar të propozohen për anëtarë të Këshillit të Etikës të UP-së.

“Do të marr kohën me u ulë e me shkru edhe një email edhe m’ia dërgu krejt stafit akademik… Shpresoj shumë që prej 1,000 e ma shumë staf çka janë teorikisht kandidate/kandidat potencial për komision [Këshill të Etikës] do të marrim 50 përgjigje pozitive, atëherë do të shohim dhe do t’i përzgjedhim listën prej njerëzve ma të thirrur për këtë punë” – ka shtuar Hajrullahu.

Hajrullahu ka përmendur një rast të Këshillit të Etikës të UP-së që e ka kryer mandatin më 01.10.2024, i cili u ballafaqua me trajtimin e rastit të denoncuar për ngacmim seksual ndaj profesorit të Fakultetit të Edukimit në UP, Xhevat Krasniqi.

Këshilli i kaluar i Etikës i UP-së u bllokua nga aktivistë për disa orë në sallën e Administratës Qendrore të UP-së më 22.04.2024, pasi nuk mori vendim ndaj profesorit Krasniqi.

Me këtë rast, rektori Hajrullahu i ka atakuar edhe mediat rreth raportimit të tyre për bllokimin e anëtarëve të Këshillit të kaluar të Etikës të UP-së.

“Nuk e dëshiroj as unë, askush me pa skena çfarë kemi përjetuar diku në pranverë ose në verën [2024] këtu m’u blloku dyert. Krejt në rregull, këta kolegët e mediave janë më se të mirëseardhur, e dinë, s’kemi asgjë për të fshehur, mirëpo nuk ka nevojë me na bo për teatro edhe pse e kemi teatrin në renovim atje, është teatri, nuk është Universiteti” – ka thënë Hajrullahu.

Si përfundim, Hajrullahu shpreson se në mbledhjen e radhës të Senatit të UP-së do të propozohen anëtarët për Këshill të Etikës të UP-së dhe ta përfundojnë këtë punë gjatë muajit nëntor 2024.

Këshilli i Etikës i UP-së që i përfundoi mandati përbëhej nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryesues) dhe anëtarët – Arben Hajdari, Skender Muji dhe Rrezeart Galica.

Në anën tjetër, rektori Hajrullahu u zgjodh në këtë pozitë nga Këshilli Drejtues i UP-së më 07.08.2024, kurse ka filluar mandatin më 01.10.2024.