Të dyshuarit që u raportua se kanë hyrë me forcë për të vjedhur në një objekt të Spitalit Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda”, dyshohen se i kanë dëmtuar kabllot e pajisjes së quajtur insinerator, i cili shërben për riciklimin e mbetjeve medicinale.
Kështu ka thënë për KALLXO.com drejtori i Spitalit Rajonal të Gjakovës, Hilmi Shala. Ndërkohë Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me rastin.
Sipas drejtorit Shala, të dyshuarit kanë tentuar t’i vjedhin kabllot e rrymës së pajisjes – insineratorit që kanë pasur përmbajtje të bakrit.
“Kanë synu me vjedh kabllat e rrymës që përmbajnë bakër, instalimin elekterik kanë tentu m’ia vjedhë… Janë orët [e rrymës] aty që lidhen, ka kabllo të ndryshme me bakër që kanë. Sigurisht m’i shit” – ka thënë Shala, më 29.10.2024.
KALLXO.com ka siguruar pamje të kabllove që janë dëmtuar nga të dyshuarit.

Shala ka treguar se rastin e kanë raportuar në Polici kur një punëtor teknik i Spitalit është paraqitur në punë, mëngjesin e të hënës, më 28.10.2024.
“Punëtori kur ka dalë të hanën në punë se kjo ka ndodhë në vikend, e ka vrejt që është aparati [insineratorit] i dëmtuar, masnej kena këqyr edhe objektet tjera që janë kanë afër edhe ato i kanë thy po s’kanë bërë dëme veç në këtë kanë bërë dëme, kanë tentu m’i vjedh kabllot e rrymës” – ka shtuar Shala.
Shala gjithashtu është i informuar se Policia është duke i verifikuar personat e dyshuar pasi i kanë marrë pamjet e kamerave të sigurisë të Spitalit Rajonal të Gjakovës.
“Sapo jena ardhë në punë na, se e ka vrejt punëtori, e ka lajmëru rastin. Janë ardhë i kanë ba hetimet… Kamerat i kanë marrë se vërehen personat që kanë hy aty” – tha Shala.

I pyetur se sa persona vërehen në kamerat e sigurisë së Spitalit të Gjakovës, Shala ka thënë se nuk është në dijeni.
KALLXO.com e ka pyetur Prokurorinë e Gjakovës për këtë rast, të cilët kanë thënë se kanë inicuar rast – vjedhje e rëndë.
“Prokurori i Shtetit, ka autorizuar hetuesit policor që të ndërmerren gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbulimit dhe identifikimit të kryesit/ve, të veprës penale në fjalë dhe zbardhjes së plotë të rastit” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë në Gjakovë, më 29.10.2024.
Sipas Shalës, ky është rasti i parë që Spitalit Rajonal të Gjakovës i është thyer një objekt.
Shala ka thënë po ashtu se duhet ta kontraktojnë ndonjë kompani për t’i rregulluar kabllot e dëmtuara të insineratorit, kurse do t’i grumbullojnë mjetet medicinale që janë përdorur dhe që duhet të riciklohen dhe do t’i dërgojnë në ndonjë spital tjetër në Kosovë për t’i ricikluar.
Janë udhëzuar nga Policia që të mos e hapin insineratorin derisa të kryhen hetimet. Ai ka treguar se edhe mëngjesin e të martës Policia ka kryer hetime.
“Ende s’e kemi marrë raportin e Policisë, zyrtar, s’kemi qasje njëherë aty në objekt për shkak të shenjave të gishtrinjëve çka janë ato. Policia derisa t’i kryen hetimet e veta edhe na tash, krejt spitalet kemi insinerator do të bashkëpunojmë me spitalet tjera derisa ta rregullojmë” – ka thënë ai.