Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është ndryshuar masa e sigurisë për mallrat serbe, nga “kufizim” siç ka qenë deri më tani, në “kontroll të shtuar”.
Ai ka paralajmëruar se kjo masë është ndryshuar deri sa të vijnë skanerët e teknologjisë së lartë.
“Sot paradite ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të Doganës [lidhur me këtë masë] … deri të na vijnë skanerët”- tha Kurti në konferencë për media, më 07.10.2024.
Kurti tha se kanë zgjedhur që ky kontroll i shtuar të bëhet vetëm në pikën kufitare në Merdarë, sepse sipas tij, aty është hapësira më e gjerë dhe terminali doganor është afër.
“Sa më e shkurtër distanca aq më kollaj për doganierët tanë”- tha ai.
Kurti tha se masat kanë qenë të sigurisë dhe jo të tregtisë.
Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia në vitin 2023, pasi tre policë të Kosovës u patën arrestuar nga policia serbe. Ndonëse policët qenë liruar më vonë, vendimi për mallrat serbe pati mbetur në fuqi.
Shefi i ekzekutivit njoftoi se në shtatët ditët në fillim do të kenë disa zhvillime, pasi që të mërkurën më 09.10.2024 do të mbahet mbledhja e CEFTA-s, ndërsa javën tjetër Samiti i Berlinit.
“Aty pritjet tona janë që të përfaqësohemi si Kosovë”- tha Kurti për takimin që do mbahet në CEFTA.
Se Kosovës i kanoset rreziku i përjashtimit nga ky proces, që edhe një javë e ndajnë nga samiti i ardhshëm, e tha edhe vetë presidentja e vendit, Vjosa Osmani. E para e vendit pohoi se një largim i tillë mund të ndodhë nëse nuk bëhet kompromis për CEFTA – për zhbllokimin e mallrave serbe.
CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Europian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Atëbotë, marrëveshja për anëtarësim u nënshkrua nga UNMIK-u, në emër të Kosovës. Pas pavarësisë, institucionet kosovare ndërruan vulat doganore, mirëpo edhe pse u vendosën simbolet shtetërore, Kosova vazhdoi të përfaqësohet nga UNMIK-u.
Vendimmarrja në CEFTA, është bllokuar për shkak se Qeveria do që Kosova të përfaqësohet si shtet që ka shpallur pavarësinë, e jo përmes misionit të OKB-së.
E gjithë “rrëmuja” me dyshimet se Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit besohet se po ndodhë për shkak se Qeveria e Kosovës e ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia më 15 qershor 2023, një ditë pasi forcat serbe kishin arrestuar tre policë të Kosovës.
Ndërkaq, mandati i Procesit të Berlinit është për ta lehtësuar bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë – për t’u mundësuar atyre që t’i bashkohen BE-së.