Kosova vazhdon të mbajë marrëdhënie të përzemërta me Turqinë, duke përfshirë aspektin politik, të mbrojtjes si dhe sektorët ekonomikë dhe kulturorë.
Kështu përshkruhen me theks të veçantë marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë në Raportin e Progresit për vitin 2024, në kapitullin për marrëdhëniet fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal.
“Presidentja e Kosovës ka vizituar Turqinë për të marrë pjesë në Forumin Diplomatik në Antali më 2 mars 2024 dhe u takua me Presidentin Recep Tayyip Erdogan”- shkruan në Raport.
Përveç kësaj, aty përmendet edhe marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak në janar 2024 mes Kosovës dhe Turqisë.
Më 25.10.2024, ministri i Mbrotjes, Ejup Maqedonci, është takuar me homologun e tij turk, Jashar Gyler, me të cilin kanë nënshkruar marrëveshje në fushën e mjekësisë ushtarake, dhe u mirëprit edhe nga Haluk Bayraktar, drejtori ekzekutiv i kompanisë turke “Baykar”, prodhuese e dronëve ushtarakë “Bayraktar”.
Theks i veçantë i vihet çështjes së fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, që sipas Komisionit Europian janë pjesë thelbësore e Kosovës në procesin e integrimit europian.
“Ato ndihmojnë në arritjen e stabilitetit, pajtimit dhe klimës së favorshme për të adresuar në mënyrë konstruktive çështjet e hapura dypalëshe dhe trashëgimitë e së kaluarës”- shkruan në Raport.
Në mesin e shteteve tjera që Kosova ka marrëdhënie të mira fqinjësore janë përmendur: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut.
Në Raport përmendet marrëveshja Kosovë- Shqipëri mbi heqjen e kontrolleve me dokumente të identitetit dhe pasaportave në kufirin e përbashkët që hyri në fuqi në maj 2024.
Ndërsa në raport me Malin e Zi, thuhet se në mars 2024, Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për Instrumentin e Asistencës së Para-Aderimit (IPA) III, program bashkëpunimi ndërkufitar për 2021-2027.
Me Bosnjën dhe Hercegovinën, situata mbetet e njëjtë pasiqë Kosova nuk ka marrëdhënie zyrtare me këtë shtet.
“U zhvilluan takime dypalëshe herë pas here në margjinat e samiteve rajonale dhe shumëpalëshe. Kosova mbrojti që Bosnja dhe Hercegovina duhet të ratifikojë marrëveshjen rajonale të lëvizshmërisë për të lejuar udhëtimin pa pagesë me karta identiteti”- shkruan në Raport.
Me Serbinë në këtë aspekt më së shumti është përmendur fati i pazbardhur i personave të zhdukur gjatë viteve 1990.
Është tërhequr vërejtje që nga prilli 2021, nuk ka pasur asnjë seancë të Grupit Punues Beograd-Prishtinë për çështjen e të zhdukurve.
Gjatë periudhës raportuese, puna e kombinuar e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosova (EULEX) dhe ekspertët vendorë të mjekësisë ligjore rezultuan në 64 operacione në terren, 11 zhvarrime dhe mbledhja e 32 grupeve të mbetjeve njerëzore, shkruan në Raport.
Ndërkaq, zhvillim pozitiv e kanë cilësuar që në gusht 2023, ekspertë të mjekësisë ligjore nga Serbia mori pjesë në një inspektim të përbashkët mjeko-ligjor të katër rasteve në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Delegacioni i Kosovës po refuzon të mbajë takime derisa Serbia të ndryshojë Shefin e Delegacionit, shkruan në Raport.
Edhe pse si zhvillim pozitiv u cilësua një takim ad hoc i Grupit të Punës në nivel të Zëvendës Drejtuesve të Delegacioni u mbajt në Gjenevë më 31 janar 2024, “bashkëpunimi Kosovë-Serbi nën Grupin e Punës u pengua përsëri nga sjellja jokonstruktive e të dyja palëve”.
Në mesin e këtyre shteteve poashtu theksohet se Gjeorgjia, Republika e Moldavisë dhe Ukraina ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Për bashkëpunimin rajonal, Kosova është lavdëruar nga Komisioni Europian, duke shtuar se ka mbajtur angazhimin e saj në një sërë nismash të bashkëpunimit, si p.sh: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Europës Qendrore (CEFTA), Komiteti i Energjisë, i Transportit, Procesi i Bashkëpunimit të Europës Juglindore dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal.
Edhe për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, thuhet që Kosova është angazhuar në mënyrë aktive në dimensionin rajonal të Planit të Rritjes, duke marrë pjesë aktive si në takimet ministrore ashtu edhe në takimet e liderëve.
“Udhërrëfyesi për roaming ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së ka hyrë në fazën e parë të zbatimit. Kosova i ka ratifikuar të katër marrëveshjet për mobilitet dhe i ka depozituar ato instrumentet e njoftimit”- shkruan në Raport, teksa janë përmendur edhe vendimet e rëndësishme u miratuan në Komitetin e Përbashkët të CEFTA-s në tetor 2024.
Raporti i Progresit është instrument me anë të të cilit Komisioni Europian e mat progresin e një vendi në përmbushjen e agjendës evropiane brenda vitit kalendarik.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është zotuar se ekzekutivi kosovar do t’i zbatojë rekomandimet nga Raporti i Progresit i Komisionit Europian, që u publikua më 30.10.2024, pavarësisht “masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës”.