Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje që kanë ndodhur në pesë qytete të ndryshme të Kosovës.
Në mesin e këtyre rasteve të dhunës në familje janë arrestuar pesë të dyshuar.
Policia në Lipjan ka arrestuar një person pasi dyshohet se kishte sulmuar fizikisht gruan e tij.
Rasti ka ndodhur më 08.10.2024, rreth orës 02:00.
E sulmuara ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dërguari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, njofton Policia.
Në Prishtinë një grua e ka raportuar në Polici djalin e saj se është duke i shkaktuar dhunë psikike.
Rasti ka ndodhur më 08.10.2024, rreth orës 10:30 dhe është duke u hetuar.
“I dyshuari është në kërkim policor” – ka njoftuar Policia, më 09.10.2024.
Në Ferizaj është arrestuar një i dyshuar pasi dyshohet se kishte sulmuar fizikisht një grua me të cilën bashkëjeton.
Rasti ka ndodhur më 08.10.2024, rreth orës 02:00.
Policia njofton se e sulmuara nuk ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në Klinë, Policia ka arrestuar një person që dyshohet se në gjendje të dehur e kishte sulmuar fizikisht gruan e tij.
Rasti ka ndodhur më 07.10.2024, rreth orës 17:05.
“Nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt” – njofton Policia.
Në Gjakovë janë raportuar dy raste të dhunës në familje që kanë ndodhur më 08.10.2024.
Në rastin e parë që ka ndodhur në Gjakovë rreth orës 10:00, një person është arrestuar pasi dyshohet se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij.
“Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt” – ka njoftuar Policia.
Kurse, në rastin e dytë që ka ndodhur në Gjakovë rreth orës 17:00, është arrestuar një person që dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht babanë e tij.
Edhe në këtë rast nuk raportohet për të lënduar, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje, sipas Policisë.