Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas raportit të Policisë, rastet janë raportuar se kanë ndodhur në Prishtinë, Podujevë, Klinë, Istog e Gjakovë.
Lidhur me këto raste Policia ka arrestuar disa të dyshuar.
Në Prishtinë më 21.10.2024 është arrestuar një person për shkak të dyshimit se ka kanosur dhe ofenduar një grua.
“I dyshuari për shkak të gjendjes shëndetësore është dërguar në QKUK dhe është ndaluar për tretman të mëtejmë të detyrueshëm në repartin e psikiatrisë”- ka njoftuar Policia.
Ndërsa tutje thuhet se rasti është duke u hetuar.
Në Podujevë më 21.10.2024 është raportuar se një grua në vazhdimësi është duke pasur dhunë psikike dhe fizike nga një burrë.
Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt.
Ndërsa në një rast tjetër në Prishtinë është arrestuar një person pasi dyshohet se i kishte dërguar mesazhe ofenduese një burri.
Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Ndërsa në Klinë më 21.10.2024 një burrë është arrestuar nën dyshimet se ka sulmuar fizikisht një grua.
Sipas njoftimit, viktima ka pranuar tretman mjekësor.
“Lidhur me rastin nga i dyshuari janë sekuestruar një pushkë gjuetie, një pushkë ajrore, tetë fishek dhe një kuti me fishekë të pushkës ajrore. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”- ka njoftuar Policia.
Edhe në Istog një burrë është arrestuar më 21.10.2024 nën dyshimet se ka sulmuar një burrë tjetër.
Sipas njoftimit, nuk raportohet për lëndime, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
E në Gjakovë më 21.10.2024 një person është intervistuar nën dyshimet se i ka shkaktuar dhunë fizike një gruaje.
Policia ka njoftuar se i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është liruar.