RRUFE

Rasti famëkeq i vrasjes së prindërve nga vëllezërit Menendez do të rishikohet

Dënimet e Erik dhe Lyle Menendez, të cilët u burgosën më shumë se tre dekada më parë për vrasjen e prindërve të tyre në SHBA, pritet të rishikohen.

Vëllezërit qëlluan me arme Jose dhe Kitty Menendez në rezidencën e tyre në Beverly Hills në vitin 1989, gjë që që prokurorët atë kohë e përshkruan si komplot për të trashëguar pasurinë e babait të tyre.

Të enjten, prokurori i qarkut të Los Angeles, George Gascon, tha se kishte “detyrim moral dhe etik” të rishikoj provat e paraqitura nga vëllezërit vitin e kaluar, të cilat deklaruan se ishin abuzuar seksualisht nga babai i tyre dhe se kishin vepruar në vetëmbrojtje.

Në publik po ashtu ka interes të shtuar për vrasjet pasi platforma filmike Netflix në shtator publikoi një dokumentar me seri lidhur me këtë ngjarje.

Gjatë gjyqit të parë, prokurorët thanë se vrasjet ishin të motivuara nga lakmia.

Ata patën deklaruar se vëllezërit shpenzuan shumicën e trashëgimisë së tyre milionëshe për ora Rolex, makina e prona luksoze, para se të konsideroheshin si të dyshuar.

Këto akuza për shpenzime të tepruara, të transmetuara në një gjykim i ndjekur gjerësisht në televizion, e bënë rastin famëkeq në SHBA.

Gjyqi i parë përfundoi me juri të ndarë (Hung Jury) pasi vëllezërit Menendez paraqitën akuza për abuzim që zgjati disa vite.

Në gjyqin e dytë, pretendimet për abuzim u mbajtën kryesisht të mbyllura. Vëllezërit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht në vitin 1996.

Lyle Menendez ishte 21-vjeçar dhe Erik Menendez ishte 18-vjeçar në kohën e vrasjeve.

Provat e reja që po shqyrtohen përfshijnë një letër të vitit 1988 nga Erik Menendez drejtuar kushërirës së tij, e cila thuhet se i referohet abuzimit nga babai i tij.

“Asnjë nga këto informacione nuk është konfirmuar,” – tha Gascon, prokurori më i lartë në qarkun e LA-së në një konferencë për shtyp.

“Në këtë pikë, nuk jemi gati të themi se besojmë ose nuk besojmë në atë informacion. Por jemi këtu për t’ju thënë se kemi detyrim moral dhe etik për të rishikuar atë që po na paraqitet.”

Gascon tha se rishikimi mund të çojë potencialisht në ri-dënim ose gjyq të ri.

Derisa, seanca është caktuar për 26 nëntor, raportojnë BBC dhe CBS News.

Gascon tha se zyra e tij kishte marrë fluks thirrjesh pas publikimit të “Monsters: Historia e Lyle dhe Erik Menendez” në Netflix.

Drama ka shkaktuar polemika pasi të afërmit thonë se vëllezërit ishin “viktimizuar nga kjo dramë groteske.”

Krijuesi i shfaqjes, Ryan Murphy, ka mbrojtur serinë dhe e ka përshkruar reagimin negativ të familjes si “të parashikueshëm.”

Përgatiti: Ardita Zeqiri


Postuar

,

nga