Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës, i akuzuar për 3 vepra penale, tentim vrasje, armëmbajtje pa leje e shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, është sjellë sot më 11.10.2024 para gjykatës nën akuzën për plagosjen e Pajtim Gashit në mars të vitit 2024. Përveç Shkumbin Sekiraqës i përfshirë në këtë rast është edhe M. H., i cili nga prokuroria po akuzohet për ndihmë pas kryerjes së veprës penale.
Avokati Naser Sopjani i cili është mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Sekiraqa, gjatë seancës së sotme kërkoi nga gjykata që të mbrojturit të tij t`i zëvendësohet masa e paraburgimit me çfarëdo mase tjetër alternative, sepse sipas tij procesi do zhvillohet pa pengesë pasi i njëjti është paraqitur vetë vullnetarisht në polici dhe nuk ka asnjë interes të i shmanget këtij procesi gjyqësor mirëpo këtë propozim të avokatit e refuzoi trupi gjykues.
Gjyqtari Naser Foniqi tha se arsyeja se pse e refuzon këtë propozim është për shkak se ende nuk është dëgjuar i dëmtuari Pajtim Gashi në cilësinë e dëshmitarit dhe se akoma vazhdojnë të ekzistojnë shkaqet për të cilat është vazhduar kjo masë.
Paraprakisht në seancën e sotme janë dhënë fjalët hyrëse fillimisht nga prokurorja e shtetit Bukurije Gjonbalaj dhe pastaj nga mbrojtësit e të akuzuarve.
“I propozoj gjykatës që shqyrtim gjyqësor të dëgjohen dëshmitarët e propozuar në aktakuzë si dhe të bëhet administrimi i provave materiale të propozuara në aktakuzë të cilat prova të propozuara në aktakuzë do të vërtetojnë se kryerësit e këtyre veprave janë të akuzuarit” – tha prokurorja Gjonbalaj gjatë fjalëve hyrëse.
“Asnjë nga provat nuk mund ta dëshmojnë se Shkumbin Sekiraqa është i përfshirë në këtë rast e aq më tepër krejt kjo aktakuzë askund nuk ka paraqit faktin kryesor e që ai është se kjo është nisur në mbështetje në një postim anonim të portalit duke apostrofuar me emrin e tani të mbrojturit tim, prandaj jemi të bindur që në fund ky trup gjykues do ta liroj të pafajshëm të mbrojturin tim sepse nuk ka asnjë provë materiale që ai ta ketë kryer ndonjë nga këto vepra”- tha avokati Sopjani gjatë fjalëve hyrëse.
Ndërsa avokati Muhamet Mehmeti i cili ishte me autorizim zëvendësues për të akuzuarin M. H. tha se konsideron se nga provat që gjenden shkresat e lëndës nuk do mund të vihet në konstatim se kjo veturë është përdorur në kryerjen e veprës penale për të cilën po akuzohet i pandehuri Shkumbin.
“Andaj besojmë se deri përfundim të shqyrtimit gjyqësor do të ofrojmë argumente si mbrojtje për të treguar se kjo akuzë nuk ka mbështetje në prova dhe se i mbrojturi im do të lirohet nga akuza” – shtoi tutje mbrojtësi i M. H., avokati Muhamet Mehmeti.
I akuzuari Shkumbin Sekiraqa i mbështeti fjalët hyrëse të mbrojtësit të tij, po ashtu edhe i akuzuari M. H. i mbështeti fjalët hyrëse të mbrojtësit të tij.
Pasi që i dëmtuari Pajtim Gashi nuk ishte i pranishëm, seanca e sotme u ndërpre dhe e radhës do të mbahet gjatë këtij muaji, ku pritet të vazhdohet me fjalët hyrëse të dëmtuarit Pajtim Gashit po ashtu edhe të dëgjohet dëshmia e tij.
Në fillim të seancës gjyqtari Naser Foniqi bëri të ditur së është lëshuar urdhër për shoqërim për sjelljen e Pajtim Gashit në seancë, mirëpo prezenca e tij nuk u sigurua nga policia pasi gjatë seancës u bë e ditur se i njëjti nuk ishte gjetur në shtëpinë e tij.
“Gjykata do të bëjë të gjitha përpjekjet në bazë të KPPK-së që të dëmtuarin Gashi ta sjellë për seancën e radhës” – tha gjyqtari Naser Foniqi në fund të seancës.
Ky rast po trajtohet në përbërje të trupit gjykues Naser Foniqi kryetar dhe dy anëtarët Gëzim Ademi dhe Gazmend Bahtiri.
Kujtojmë se në seancën e datës 10.09.2024 gjyqtari Naser Foniqi kishte obliguar mediat që për të akuzuarin M. H. të publikohen vetëm inicialet për arsye se avokati Ilaz Rudaku i cili mbron të akuzuarin M. H., për ndihmë pas kryerjes së veprës penale, ka kërkuar nga gjyqtari që të udhëzohen mediat që të bëjnë publikimin vetëm me inicialet e të akuzuarit.
Sipas avokatit të tij, M. H. është zyrtar i një institucioni publik.
“Me respekt do të kërkoja pasi që i mbrojturi im është zyrtar i cili punon në institucione publike do të kërkonim nga ju që mos të publikohet emri në media së paku të shkohet vetëm në incialet e tij marrë parasysh edhe faktin që i njëjti fare nuk ka të bëjë me këtë rast”- ishte propozimi i Rudakut në seancën e mbajtur më 10.09.2024.
Këtë deklarim të Rudakut e kishte konsideruar si të bazuar gjyqtari, Foniqi duke shtuar si arsye se ekziston prezumimi i pafajësisë ndaj të pandehurit.
I akuzuari M. H. nuk ka pranuar fajësinë, po ashtu Shkumbin Sekiraqa i akuzuar për tri vepra penale nuk e ka pranuar fajësinë.
Shkumbin Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se më 04.03.2024 kishte tentuar ta privojë nga jeta Pajtim Gashin. Ky i fundit mbeti i plagosur.
“Rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë deri sa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit “Audi” pronë e të pandehurit tjetër M. H., ishte takuar me personin NN i cili lëvizte me një pickap, i pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje me qëllim që të privoj nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin i drejtohet me fjalë “paja shoq a po më njeh mua” ku më pas e sulmojnë fizikisht”- përshkruhet ngjarja e cila ndodhi më 04.03.2024.
Dosja e prokurorisë përshkruan edhe se Shkumbin Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, kishte shtënë në drejtim të Pajtim Gashit e më pas e kishte goditur në kokë me kondakt të armës.
“Me këto veprime i shkakton lëndime në kokë dhe një plagë në këmbën e djathtë, i dëmtuari (Pajtim Gashi) ka arrit të largohet nga vendi i ngjarjes, i pandehuri (Shkumbin Sekiraqa) ka vazhduar që të gjuaj në drejtim të tij”- përshkruhet tutje në aktakuzën që ka siguruar KALLXO.com.
Me këto veprime Shkumbin Sekiraqa sipas prokurorisë ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.
Shkumbin Sekiraqa në polici në deklarimin e tij kishte mohuar përfshirjen e tij në rast.
“Çka kam thënë në polici është e vërtetë dhe nuk kam tjetër çka të shtoj tani nuk dua të deklarohem më. Në polici ka deklaruar se nuk ka lidhje me rastin që ka ndodhur më datë 04.03.2024 dhe nuk e njeh të dëmtuarin Pajtim Gashi”- thuhet tutje në dosjen e prokurorisë.
E Pajtim Gashi, i cili mbeti i plagosur në mars 2024, kishte deklaruar se në datën e lartpërmendur ishte në afërsi të një biznesi familjar.
“Ka ardhë një person me veturë të kuqe, personi më është ofru dhe më ka thënë “pse po më këqyrë” ka filluar të më shaj me fjalë banale “çka k… po më këqyrë”, i kam thënë nuk jam ka të këqyri o vlla po shko rrugës tande, ai më ka thënë se ‘je ka më këqyrë shtremtë’, pas kësaj ka vazhdu me veturë, kah objekti teposhtë vetura e ka pas derën e hapur dhe pse ishte duke vozitur ai e mbante derën çelë, mandej pasi që është largu diku 15 metra e ka ndalë derën ka dalë nga vetura është nis në drejtim të tij nuk i ka parë asgjë në dorë dhe ka filluar prapë të shajë”- ka shpjeguar Pajtim Gashi në prokurori ngjarjen e marsit.
Gashi kishte treguar për sulmin e më pas edhe për të shtënat me armë.
“Me sa din ai ka shtënë 5-6 herë. Shkumbin Sekiraqën nuk e njeh nuk e ka njohur më parë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me të. Në polici nuk ka arritur që ta identifikoj Shkumbin Sekiraqën, Pajtim Gashi”- thuhet tutje në dosje.
Si i bashkakuzuar në këtë rast është edhe M. H., i cili ngarkohet se i ka dhënë ndihmë Shkumbin Sekiraqës pasi është kryer vepra penale duke e fshehur në garazhën e tij veturën Audi A7 e që në deklaratën e dhënë në polici kishte thënë se të njëjtën veturë e ka shitur.
Ky rast del të jetë si fillesë e problemit mes familjes Gashi e Sekiraqa, pasi më 01.09.2024 kishte pasur shkëmbim me armë të zjarrit mes disa personave ku një person kishte ndërruar jetë e 5 të tjerë kishin mbetur të plagosur.
Si i plagosur në rastin e datës 01.09.2024, është edhe babi i Shkumbin Sekiraqës, Salih Sekiraqa.
Raportimet e KALLXO.com – LINK