RRUFE

Rifillon gjykimi ndaj noterit të akuzuar Sinan Visoka

Në Gjykatën e Prishtinës më 21.10.2024 ka rifilluar rishtas shqyrtimi gjyqësor ndaj noterit Sinan Visoka dhe Lirim Mustafës.

Noteri Visoka po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim, kurse Lirim Mustafa për mashtrim lidhur me rastin për ndarjen e trashëgimisë së të ndjerit Ruzhdi Mustafa.

Kryetarja e trupit gjykues Sulltane Hoti deklaroi se rifillimi i shqyrtimit po ndodhë për shkak se shqyrtimi paraprak ka zgjatur më tepër se 6 muaj.

Kërkesa e përfaqësueses së palës së dëmtuar Gazmend Mustafa, avokates Saranda Keqekolla- Sadiku ishte që seanca të shtyhej nën arsyetimin se po mungonte pala e dëmtuar, që e kishte bërë kallëzimin penal për këtë rast, përkatësisht Gazmend Mustafa.

Por gjyqtarja tha se do të vazhdohet me gjykimin për shkak se mungesa e palës së dëmtuar nuk është pengesë ligjore për diçka të tillë.

Kështu i akuzuari Sinan Visoka dha mbrojtjen.

Fillimisht të njëjtit ju parashtruan pyetjet nga ana e përfaqësueses së palës së dëmtuar Saranda Keqekolla- Sadiku.

Duke ju përgjigjur avokates ai pohoi se e kishte përpiluar aktin e trashëgimisë, dhe të njëjtin e kishte bërë në bazë të procesverbalit.

“A e keni cekë procesverbalin në këtë aktvendim” – e pyeti avokatja Saranda Keqekolla- Sadiku.

“Nuk më kujtohet” – u përgjigj i akuzuari Sinan Visoka.

Më tej ai deklaroi se aktvendimi ishte përpiluar në bazë të Ligjit për Noterinë si dhe duke i respektuar të gjitha kërkesat për informatat që kërkohen në dokumentet e noterizuara të parapara me nenin 33 të këtij ligji.

“A është dashur të cekni se i dëmtuari Gazmend Mustafa është përfaqësuar me autorizim siç keni deklaruar në procedura të mëhershme nga vëllai i tij Armend Mustafa?” – pyeti avokatja Keqekolla- Sadiku.

“Të gjitha janë të përfshira në procesverbalin mbi shqyrtimin e trashëgimisë ku mbi atë procesverbal është ndërtuar edhe aktvendimi” – u përgjigj i akuzuari Sinan Visoka.

Më tej avokatja e  pyeti nëse në këtë aktvendim noteri ka qenë i obliguar t`i përshkruaj të gjitha dokumentet që janë pjesë e këtij aktvendimi.

I akuzuari  tha se noteri vetëm i përcakton të gjitha shtojcat që gjenden në shkresat e lëndës pa i përmendur të gjitha veç e veç.

Tutje marrja në pyetja nga ana e përfaqësues së palës së dëmtuar vazhdoi lidhur me faktimin e vdekjes së babait të tre nipave që po kërkonin trashëgiminë e gjyshit.

“Atëherë a keni qenë të detyruar të kërkoni certifikatën e vdekjes së babait të tyre apo certifikatën e lindjes?” – pyeti avokatja Keqekolla- Sadiku.

“I njëjti (Lirim Mustafa) ka poseduar një certifikatë mjekësore ku shkruan saktë vdekja e babait të tyre por kërkesa ime ka qenë e njëjta të merret nga gjendja civile dhe pastaj të merret aktvendimi mbi trashëgiminë”- u përgjigj i akuzuari.

I akuzuari tha se certifikata më vonë ishte siguruar por nuk i kujtohet nëse një rrethanë të tillë e kishte sqaruar në procesverbalin mbi shqyrtimin e trashëgimisë por që një gjë e tillë nuk ishte obligim ligjor.

“A konsideroni se ka qenë lëshim i juaji ligjor që në rastin konkret nuk është përmendur certifikata e vdekjes së Shefki Mustafës (babait të tre nipave)?” – e pyeti avokatja.

“Nuk konsideroj se ka lëshim. Por që noteria ka filluar në vitin 2013 ky vendim është nxjerrë në vitin 2016 dhe ka mundësi të sofistikohet. Gabime teknike mundet me pasë” – u përgjigj i akuzuari.

Më tej marrja në pyetje e Sinan Visokës vazhdoi nga ana e mbrojtësit të Lirim Mustafës, avokatit Arsim Bilalli.

Duke ju përgjigjur pyetjeve të avokatit i njëjti tha se e kishte pasur autorizimin e Gazmend Mustafës për Armend Mustafën, i cili ishte përpiluar në vitin 2014, ndërkohë që përpilimin e aktvendimit për trashëgiminë e familjes Mustafa e kishte bërë në vitin 2016.

Duke ju përgjigjur avokatit, i pandehuri pranoi se autorizimi ka qenë valid në kohën e nxjerrjes së aktvendimit.

Pyetje parashtroj edhe kryetarja e trupit gjykues, Sulltane Hoti.

Ajo e pyeti se përse prej fillimit të procedurës pse nuk është përfshi nana e Lirimit, Gazmendit dhe Armendit pasi siç u shpreh ajo nëse bashkëshorti është i vdekur automatikisht duhet me e përfshi bashkëshorten.

I akuzuari tha se kjo është një e metë e ligjvënësit që edhe sot e kësaj dite e reja e trashëgimlënësit nuk hyn në ligjin e trashëgimisë dhe prona në këtë rast ka qenë në emër të vjehrrit.

Duke ju përgjigjur gjyqtares Sulltane Hoti ai tha se për procedurën në fjalë ishte kompensuar në total 120-130 euro.

“Ju betohem 1 cent jashtë fakturës nëse e kisha marrë sot e kisha pranu po thjeshtë vetëm e kam kry punën tem. Nëse del një dëshmitar i vetëm se kam pranu 1 euro ma shumë, sot e pranoj fajësinë” – shtoi i akuzuari, noteri Sinan Visoka.

Në fund të deklarimit të tij noteri Visoka tha se procedura penale i kishte ndikuar në shëndet, dhe me qëllim të vërtetimit të të vërtetës ai nuk kishte munguar në seanca as gjatë kohës së pandemisë.

Në këtë seancë ishte paraparë që mbrojtjen ta paraqes edhe i akuzuari tjetër Lirim Mustafa, por i njëjti kërkoi nga gjykata që për shkak se nuk ishte në gjendje të mirë as shëndetësore e as emocionale si pasojë e humbjes së vëllait, seanca të shtyhet.

Propozimi në fjalë u aprovua nga trupi gjykues dhe seanca u caktua për datën 25.11.2024.

Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues në përbërje nga Sulltane Hoti – kryetare dhe anëtarët: Alban Ajvazi, Avni Syla. Prokurore e rastit është Dulina Hamiti.

Raportimet paraprake të Kallxo.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu.

Çka thotë dosja e prokurorisë?

Noteri Sinan Visoka akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi sipas organit të ndjekjes për qëllime përfitimi ka përpiluar aktvendimin për trashëgiminë e tashmë të ndjerit Rexhep Mustafa pa prezencën e të gjithë trashëgimtarëve ligjor të tij.

Sipas dosjes noteri e shpallë trashëgimtar ligjor të pandehurin Lirim Mustafa, nip i të ndjerit Rexhep Mustafa, për një ngastër kadastrale prej 993 metrave katrorë në Komunën e Podujevës. Me këtë akt ndjekja ka vlerësuar se noteri ia ka mohuar të drejtën dhe u ka shkaktuar dëm pasuror trashëgimtarëve të tjerë, përkatësisht: Gazmend Mustafës, Blerim Mustafës, Skender Mustafës, Rizah Mustafës dhe Naxhije Demirit.

Për këtë veprim Sinan Visoka po ngarkohet me kryerjen e veprës penale Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Gjithnjë sipas prokurorisë aktvendimi në fjalë është nxjerrë më datë 15.02.2016 në zyrën noteriale të Sinan Visokës pas marrëveshjes paraprake të Lirim Mustafës dhe noterit.

Prokuroria pretendon se deri tek kjo ndarje e pasurisë kishte ardhur pasi Lirim Mustafa kishte bërë paraqitje të rreme të fakteve dhe nuk i kishte informuar trashëgimtarët e tjerë.

Për këto veprime Lirim Mustafa dhe Sinan Visoka po akuzohen se në bashkëkryerja kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”.