Rreth orës 06:45 të 28 marsit, policia arriti afër shtëpisë së Andrey Perlovit në Novosibirsk në Siberi.
E akuzuan se kishte vjedhur tre milionë rubla (rreth 32 mijë dollarë amerikanë) të një klubi futbolli ku ai ishte drejtor menaxherial – ai dhe familja e tij i kanë hedhur poshtë këto akuza.
BBC shkruan se Perlov, i cili është 62 vjeç, është medalist i artë olimpik, duke fituar garën e ecjes sportive prej 50 kilometrash më 1992.
Ai ka më shumë se gjashtë muaj që po mbahet në burg dhe familja e tij thotë se po i bëhet presion që të pajtohet për të shkuar në luftë në Ukrainë. Atij i është thënë se rasti gjyqësor për vjedhje do të ngrihej, ose edhe do të mund të mbyllej fare nëse do të përfundonte lufta.
Nuk është sekret se të burgosurit janë rekrutuar për luftën në Ukrainë, kanë treguar analizat e BBC-së, nëpërmjet të cilave spikatet se kriminelët e dënuar ishin angazhuar, por pastaj janë përfshirë edhe të akuzuarit që ende janë duke u gjykuar.
Me ligjet e fundit ruse nënkupton se prokuroria dhe avokatët mbrojtës tani e kanë të obliguar që të informojnë njerëzit që janë të akuzuar me krimet për të cilat akuzohen dhe në vend të procesit gjyqësor të pajtohen që të shkojnë në luftë.
Legjislacioni, i aprovuar në mars 2024, nënkupton se nëse ata nënshkruajnë, prokuroria ose çfarëdo procesi tjetër hetimor ndërpritet. Rastet mbyllen përgjithësisht në fund të luftës.
“Kjo e ka përmbytur sistemin e drejtësisë të Rusisë”, ka thënë Olga Romanova, drejtoreshë e “Rusia Prapa Grilave”, OJQ që merret me ndihmë ligjore për të dënuarit.
“Policia tani mund ta kapë dikë që porsa e ka vrarë dikë, t’ia lidhin duart dhe vrasësi pastaj të thotë: ‘Oh, ngadalë, dua të shkoj në një operacion ushtarak special’, dhe ata e mbyllin rastin”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com