RRUFE

SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar inkurajojnë Serbinë t’i ndjekë autorët e sulmit terrorist në Banjskë

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kërkuan  më 30.10.2024 nga Serbia që të ndjekë autorët e sulmit terrorist në Banjskë.

Ambasadori i SHBA-së në OKB, Robert A. Wood, ka thënë se SHBA-ja ka kërkuar nga Serbia që autorët për sulmin në Banjskë të Zveçanit të ballafaqohen me drejtësinë.

“Serbia nuk ka bërë asnjë lloj progresi në sigurimin e llogaridhënies së kryesve, duke përfshirë edhe Millan Radoiçiqin”- tha Wood.

Ai inkurajoi në llogaridhënie të plotë në pajtim me sundimin e ligjit.

Ndërsa, për Kosovën, ai tha se mbeten të shqetësuar sa u përket veprimeve të pakoordinuar të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.

Ai tha se këto veprime cenojnë jetesën e komuniteteve dhe cenojnë edhe rrugëtimin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“I bëjmë paralajmërim të dyja palëve për përmbajtje nga veprime të tilla të njëanshme dhe inkurajojmë që t’i zgjidhin problemet e tyre në këtë dialog”- tha Wood.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në OKB, Fergus Eckersley, ka folur me gjuhë më përkrahëse ndaj Kosovës në sesionin që po zhvillohet në New York – aty ku Kosova po përfaqësohet nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz.

Ai inkurajoi edhe Kosovën edhe Serbinë për rrugën e tyre në dialog.

“Inkurajojmë Kosovën që të marrë parasysh me kujdes ndikimin e vendimeve të saj mbi të gjithë qytetarët, duke përfshirë ata të komuniteteve joshumicë dhe të punojë me partnerët e saj”- tha Eckersley.

“Inkurajojmë Serbinë që të luajë rolin e vetë në përpjekje për sigurim të drejtësisë dhe llogaridhënies për kryesit e sulmit tronditës në Banjskë dhe të luajë rol konstruktiv në uljen e tensioneve dhe në promovim të marrëdhënieve pozitive në rajon”- shtoi ai.

Ai tha se në javët e fundit kanë parë hapa pozitivë drejt një bashkëpunimi më të madh përfshirë edhe heqjen e kufizimit ndaj importeve të Serbisë dhe marrëveshjen që siguron përfaqësimin e Kosovës në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (CEFTA).

Megjithatë, Eckersley tha se janë të shqetësuar që progresi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja ka ngecur.

“I bëjmë thirrje të dyjave palëve që të ritheksojnë përkushtimin e tyre ndaj këtij dialogu. Dhe i bëjmë jehonë thirrjes se Sekretarit të Përgjithshëm për pjesëmarrje më të madhe të grave në këtë proces”- tha ai.

Eckersley gjatë fjalës së tij tha se Mbretëria e Bashkuar është përkrahëse afatgjate e sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës. 

“Mbesim të përkushtuar që ta përkrahim një shoqëri gjithpërfshirëse, të larmishme dhe shumetnike në Kosovë. Mirëpresim përpjekjet e Kosovës që të rekrutojë policë nga komunitetet joshumicë dhe përkushtimin e saj për trajtimin e dhunës nga konflikti dhe pjesëmarrjen e saj në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”- tha ai.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara po shqyrtohet raporti i ri gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut në Kosovë.

Çka ndodhi në Banjskë?

Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.

Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një mjet shpërthyes kishte shpërthyer.

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.

Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.

“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike” – thuhej në letrën e Radoiçiq, që lexoi avokati i tij më 29.09.2024.

Ai nuk e bëri këtë në mënyrë publike dhe vet por me anë të një letre që e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.

Më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës është ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, mbi të cilët rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.

Të arrestuar për këtë rast janë vetëm Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq. Ata gjenden në masën e paraburgimit.
45 të akuzuarit e Prokurorisë Speciale janë Millan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dusan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vucetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momcilo Vuckoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Rados Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, person juridik “R” dhe person përgjegjës është R.S.

Që nga shtatori i 2023 e tutje, Policia e Kosovës në dhjetëra raste ka kryer aksione në lokacione të ndryshme në komunat veriore duke gjetur një arsenal armësh që u përdorën e pritej të përdoreshin në sulmin e Banjskës.

Armët, dyshohet se u futën në Kosovë nga rrugët ilegale, të cilat tashmë është njoftuar se veçse janë mbyllur në këto zona.

Hulumtimi i BIRN kishte bërë të ditur se prejardhja e disa prej armëve që u sekuestruan ishte nga Serbia.

BIRN kishte zbuluar se plumbat e sekuestruar nga serbët e armatosur në veriun e Kosovës u prodhuan në Serbi më 2022 ndërsa predha mortajash dhe granatahedhës kaluan nëpër qendrat e mirëmbajtjes shtetërore serbe në vitin 2018 dhe 2021.

Çështja e Banjskë vazhdon të mbesë temë diskutimi në shumicën e takimeve ndërkombëtare që mbahen e që diskutohet për raportet Kosovë-Serbi.

Raportimet e KALLXO.com pë rastin e Banjskës i gjeni në këtë LINK.


Postuar

nga