Do të ishte “zhvillim shqetësues dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm” nëse Koreja Veriore ka dërguar trupa për ta ndihmuar Rusinë në Ukrainë, kanë thënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa Koreja Jugore dhe Britania kanë paralajmëruar se për çmimin e lartë të Moskës do të duhej të paguante Feniani, raporton Reuters.
“Ne po konsultohemi me aleatët dhe partnerët tanë për implikimet e një lëvizjeje të tillë dramatike”, ka deklaruar zëvendësambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Robert Wood, derisa ka folur para ambasadorëve të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rusia e ka pushtuar Ukrainën në shkurtin e vitit 2022.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Fenianin se po përgatitet për dërgimin e dhjetë mijë trupave në Rusi. Ambasadori rus në OKB, Sergiy Kyslytsya, ka deklaruar para Këshillit të Sigurimit se “këto trupa pritet të jenë gati për luftën kundër Ukrainës më 1 nëntor”.
Agjencia e spiunazhit e Koresë Jugore ka raportuar se 1.500 trupa të forcave speciale të Koresë Veriore janë zbarkuar në Lindjen e Largët të Rusisë për trajnime dhe vendosur në baza ushtarake para se të dërgohen në fushëbeteja në Ukrainë.
“Nëse është e vërtetë, kjo shënon një zhvillim shqetësues dhe të rrezikshëm, dhe një thellim të dukshëm të marrëdhënieve ushtarake ndërmjet Koresë komuniste dhe Rusisë”, ka deklaruar Wood duke iu referuar raporteve.
Kremlini gjatë të hënës ka refuzuar t’u përgjigjet drejtpërdrejt pyetjeve nëse trupat nga Koreja Veriore do të dërgohen në luftë në Ukrainë, por zëdhënësi Dmitry Peskov ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet Moskës dhe Fenianit nuk është drejtuar asnjë vendi të tretë.
Edhe ambasadorja e Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara ka thënë se ka “shumë gjasë” që Koreja Veriore ka dërguar trupa që synohet të përfshihen në luftën e Rusisë në Ukrainë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com