RRUFE

SHBA-ja thotë se ka dëshmi për prani të forcave verikoreane në Rusi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur për herë të parë më 23.10.2024 se kanë dëshmi për praninë e trupave verikoreane në Rusi, dhe deputetët jugkoreanë kanë thënë se rreth tre mijë ushtarë të Koresë Veriore janë dërguar për të mbështetur luftën e Kremlinit në Ukrainë, ka raportuar Reuters.

Sipas Koresë Jugore, të tjera trupa verikoreane pritet të nisen drejt Rusisë për t’u përfshirë në luftën në Ukrainë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, duke folur në Romë, ka thënë se do të ishte “tepër serioze” nëse Koreja Veriore po përgatiste trupat për të luftuar përkrah Rusisë në Ukrainë në kohën kur Kievi zyrtar ka thënë se mbetet të shihet se çfarë po bënin ushtarët e shtetit të izoluar aziatik në Rusi.

“Ka dëshmi serioze se trupat e DPRK-së janë në Rusi” – ka deklaruar Austin, duke iu referuar shkurtesës së emrit zyrtar të Republikës Popullore Demokratike të Koresë, sikur i referohet vetes Koreja komuniste.

Në Seul, deputetët e Koresë Jugore kanë thënë se Veriu ka nisur mbi tre mijë trupa drejt Rusisë dhe se mijëra të tjerë pritet të dërgohen në të ardhmen.

Pheniani ishte zotuar se do t’i siguronte dhjetë mijë trupa, dërgimi i të cilëve pritet të kryhet deri në dhjetor, kanë thënë deputetët para gazetarëve pas një takimi që kanë pasur me zyrtarë të agjencisë kombëtare të inteligjencës së Koresë Jugore.

Numri tre mijë është dyfish më i lartë sesa më parë ishte menduar se ishte shifra e trupave të Koresë Veriore në Rusi.

Reuters ka raportuar më parë se Shtetet e Bashkuara janë konsultuar më parë me aleatët lidhur me mundësinë e përfshirjes së trupave verikoreane krah ushtrisë ruse në Ukrainë. Shqetësime kanë shprehur disa shtete perëndimore./Reuters.

Përgatiti: Rexhep Maloku / Kallxo.com


Postuar

,

nga