RRUFE

Shefi i ri i NATO-s: Nuk ka kërcënim të afërt bërthamor nga Rusia

Mark Rutte, sekretari i ri i NATO-s, ka thënë se nuk sheh ndonjë kërcënim të menjëhershëm prej armëve bërthamore nga Rusia pavarësisht retorikës “së papërgjegjshme dhe të pamatur” të Kremlinit, raporton BBC.

Javën e kaluar, presidenti Vladimir Putin deklaroi se Rusia po shqyrtonte ndryshimin e doktrinës së saj ushtarake bërthamore në lidhje me shtetet që nuk kanë armë atomike – si Ukraina – por që mbështeteshin nga shtete me armë bërthamore.

Komentet e Putinit erdhën derisa Ukraina po mundohej të merrte miratimin e Perëndimit për përdorimin e raketave të tij me rreze të gjata veprimi për të sulmuar caqet ushtarake në brendësi të territorit të Rusisë.

Ish-kryeministri holandez duke folur në konferencën e parë për media pasi mori detyrën e re të sekretarit të përgjithshëm të Aleancës Veriatlantike, ka thënë se përkrah të drejtën e Ukrainës për të përdorur armë të tilla, mirëpo ka theksuar se është në dorën e shteteve perëndimore që të vendosin nëse duan të heqin dorë prej kufizimeve të tilla.

Ai ka thënë se “sa më shumë që e ndihmojmë Ukrainën në këtë moment, aq më shpejt do të përfundojë lufta”.

“Çmimi i mbështetjes për Ukrainën është larg, larg më i ulët se çmimi që do të përballeshim nëse do të lejonim Putinit ta bënte të veten”, ka thënë Rutte, duke shprehur zotimin e pararendësit të tij që të vazhdohet me rrugën për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Ai e pranoi se gjendja në fushëbetejë në Ukrainë – ku Rusia po shënon përparim të ngadalshëm, por të qëndrueshëm – është shumë “e vështirë”.

Megjithatë Rutte ka thënë se përparimet e Rusisë janë të kufizuara dhe se kanë kosto të lartë, duke cituar llogaritjet se Rusia humb ose i plagosen një mijë ushtarë në ditë.

Në konferencën e parë si shefi i ri i NATO-s, Rutte ka thënë se janë tri prioritete që do ta përcaktojnë mandatin e tij: mbështetja për Ukrainën, fuqizimi i sistemit mbrojtës të NATO-s dhe krijimi i marrëdhënieve të mira në pjesët tjera të botës, si Indo-Paqësori.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com


Postuar

,

nga

Etiketa: