RRUFE

Shpërthimi i mbrëmshëm në Zubin Potok, flet kryetari Zeqiri

Policia e Kosovës ka njoftuar se pak para mesnatës në Zubin Potok është raportuar se në një objekt privat ndërtimi, persona ende të panjohur, kanë hedhur një mjet shpërthyes. Si pasojë e këtij shpërthimi është shkaktuar zjarr në këtë objekt.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut Izmir Zeqiri pretendon se prona në fjalë është e ish kryetarit të kësaj komune, Stevan Vuloviq. I njëjti tha për KALLXO.com se ky sulm lidhet me takimin që e ka pasur kryetari me Vuloviqin në shtator të këtij viti. Në lidhje me këto pretendime, KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me ish-kryetarin Stevan Vuloviq, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

“Po lidhet pak a shumë me neve, unë diku në fillimin e shtatorit kam pasë një takim rasti, krejtësisht rasti, shoqëror me të, kemi pi kafe, kemi bisedu. E kemi pasë një takim rasti meqenëse se ditë më përpara na ka fotografu dikush tinëz gjoja se këta po rrijnë bashkë dhe po bisedojnë dhe të nesërmen prapë kemi pirë kafe dhe kemi dalë kështu. Kemi dalë në fotografi dhe e kam publiku atë mirëpo mediat serbe kanë sulmuar ashpër e kanë bërë një bujë të madhe atëherë”- tha Zeqiri për KALLXO.com.

I pari i Zubin Potokut tha se takimi ka qenë shoqëror e rastësor dhe se nuk kishte asgjë zyrtare në këtë mes.

“Në drejtim të tij ka pasë ofendime e të quajtuarit tradhëtar. Ky takim shihet se ka qenë i rastit, e kam njoftë edhe ma përpara si ish kryetar sigurisht ne jemi taku kemi pi kafe aty. Thjesht takim shoqëror ka qenë, i paplanifikuar, jemi pa në një kafe para komunës, jemi ul kemi pi kafe, kemi bisedu dhe kjo ka qenë krejt shoqërore jo takim zyrtar”- tha tutje Zeqiri.

“Ky shpërthim është në vazhdën e shpërthimeve në tre-katër muajt e fundit, ngjajshmërisht. Një herë ka ndodhë te Liqeni i Ujmanit, qytetarët duke u larë kanë pasur një shpërthim, mandej kanë qenë dy bashkëpunëtorët e mi që i kemi, një drejtoreshë te shpia e saj ka qenë, mandej ka qenë edhe te një bashkëpunëtor asistent që e kam, ky është i katërti gjatë këtyre muajve ngjajshmërisht që të sulmohet prona e këtyre do të thotë që vijnë ose janë në kabinet timin ose në qoftë se shihet t`u ndejt me mua. Besoj që këta që janë pjesë e shtrukturave paralele, pjesëtarë të ish strukturave paralele me siguri”- përfundoi ai.

Ndërsa zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani nuk ka treguar se kush është pronari i pronës së sulmuar, duke thënë se “rasti është nën hetime”.

Një shpërthim në një oborr të një shtëpie në Uglarë të Zubin Potokut është regjistruar në orët e para të datës 02.08.2024. Sipas Policisë, ky shpërthim ka shkaktuar dëme të vogla materiale e nga rasti nuk ka të lënduar.

Dyshohej se një granatë dore është hedhur në një oborr shtëpie në Zubin Potok, më 04.09.2024.

Gjatë hetimeve rreth zbardhjes së rastit të shpërthimit në afërsi të Liqenit të Ujmanit, Policia e Kosovës,  [21.07.2024], rreth orës 21:00, ka bastisur një shtëpi në zonën e Zubin Potokut, me ç’rast ka sekuestruar një veturë dhe disa radiolodhje.

Policia e Kosovës njofton se më 28.06.2024 ka shpërthyer një granatë dore në rrugën “Arsenije Cernojevic” në Zubin Potok.

https://kallxo.com/lajm/shperthimi-ne-nje-objekt-ne-zubin-potok-rasti-po-hetohet/


Postuar

nga