RRUFE

Shpërthimi në një objekt në Zubin Potok, rasti po hetohet

Policia e Kosovës ka njoftuar se pak para mesnatës në Zubin Potok është raportuar se në një objekt privat ndërtimi, persona ende të panjohur, kanë hedhur një mjet shpërthyes. Si pasojë e këtij shpërthimi është shkaktuar zjarr në këtë objekt.

“Lidhur me rastin njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes po ashtu dhe zjarrfikësit të cilët e kanë shuar zjarrin. Në konsultim me prokurorin është inicuar lënda e rastit e cila është duke u hetuar” – thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës të datës 03.10.2024.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëvëndësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili ka potencuar se nuk ka të lënduar.

“Mbrëmë rreth orës 23:30 në Zubin Potok është raportuar një shpërthim nga i cili dyshohet se ka shkaktuar edhe një zjarr në një ndërtesë të pabanuar e të papërfunduar. Nuk ka të lënduar, ndërsa policia dhe zjarrëfikësit janë në vendin e ngjarjes”- tha Elshani për KALLXO.com më 03.10.2024.

Rasti i cili është iniciuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm ka ndodhur më 02.10.2024, në ora 23:35.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast pak minuta pasi ka ndodhur shpëthimi.

https://kallxo.com/lajm/shperthim-ne-nje-ndertese-ne-zubin-potok/


Postuar

nga