Në Gjykatën e Apelit më 03.10.2024 nuk është mbajtur seanca ndaj të pandehurit, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Kjo seancë është shtyrë për një datë tjetër.
Seanca nuk u mbajt, pasi avokatja e të pandehurit Konjufca, Arbnora Zeqiri bëri të ditur se nuk kishte pranuar ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit të Themelores me të cilin vendim Glauk Konjufca ishte liruar nga akuza për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.
“Na si mbrojtje nuk kemi pranuar një ankesë që të na jepet e drejta për t’u përgjigjur. Ne kërkojmë që kërkesa të na dorëzohet në mënyrë zyrtare” – theksoi avokatja Zeqiri.
Gjykata Themelore e Prishtinës më 26.02.2024 e kishte liruar nga akuzat kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën për gazin lotsjellës në Kuvend në vitin 2016.
Kurse lidhur me pikën e dytë të akuzës ndaj Konjufcës “Pengimi i personit zyrtar”, gjykata kishte konfirmuar se e njëjta kishte arritur parashkrimin absolut që në gusht të vitit 2022, çka do të thotë se e njëjta nuk mund të ndiqet më penalisht.
Kundër këtij vendimi të Gjykatës Themelore ka ushtruar ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Glauk Konjufca nuk ishte i pranishëm në seancën e së enjtes, mirëpo mbrojtësja e Konjufcës, avokatja Arbnora Zeiqri tha se pasi prezenca e tij nuk është e obligueshme në këtë seancë e kishte parë arsyeshme që vetëm ajo të prezantojë në këtë seancë, por nëse gjykata e sheh të arsyeshme prezencën e tij në seancën e radhës atëherë do ta njoftojë.
“I njëjti është në dijeni që ka seancë, por për shkak të angazhimeve të tij i cili veç se e dini se ai mban postin e kryeparlamentarit mendoj që ka qenë e justifikueshme që të prezantojë vetëm unë sot në këtë seancë” – tha avokatja Zeqiri.
Sipas aktakuzës së 03.02.2017, Konjufca akuzohet për veprën penale, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Në aktakuzë përshkruhet se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.
Kujtojmë se më 21.02.2024, kryeparlamentari Glauk Konjufca kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje para Gjykatës së Prishtinës gjatë dhënies së mbrojtjes së tij nën akuzat për hedhjen e gazit lotsjellës në vitin 2016 në Kuvendin e Kosovës.
“Deklaratën kryesore e kam dhënë në fazat e mëhershme të këtij procesi. Asaj i përmbahem, kështu që po e zgjedh opsionin e mbrojtjes në heshtje, të cilën ma mundëson edhe ligji” – kishte thënë Konjufca para gjykatës.