RRUFE

Si përfituan subvencione komunale familjarët e pushtetarëve dhe të opozitës në Kaçanik?

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kaçanik, Ernesta Krasniqi në debatin “Jeta në Komunë” ka ngritur çështjen e “dhënies së subvencioneve për biznese të vogla dhe mikro për familjarë të pushtetarëve në Kaçanik”.

Krasniqi deklaroi se katër përfitues të subvencioneve ishin familjarë të drejtorëve komunal dhe të sekretares së kryetarit.

Drejtorët e pranishëm në debat konfirmuan deklaratën e Krasniqit.

“Katër familjarë të ekzekutivit kanë përfitu subvencione për bizneset mikro. Euron Livoreka, mik e bashkëpunëtor i Drejtorit të Financave; Jehona Dullovi, kunata e sekretareshës së kryetarit; Miranda Sallahi, vajza e Drejtoreshës së Kulturës; dhe Zejnepe Doda, bashkëshortja e drejtorit të Arsimit’ – deklaroi Krasniqi.

Tutje ajo shtoi, se drejtoresha e Kulturës, Hafize Sallahi i shkroi dhe e kërcënoi.

“Më kërcënoi se do të vijë me burrin e saj në shtëpinë time për të kërkuar llogari nga prindërit e mi’ – tha Krasniqi.

Drejtori i Arsimit, Zahir Doda konfirmoi se bashkëshortja e tij ka fituar subvencion 1 mijë e 670 euro.

“Po, e vërtetë është, Zejnepe Doda është gruaja ime që 32 vjet, e dua shumë. Ligjërisht jam krejt në rregull, sepse që nga viti 2001 është biznesi dhe nuk ka asnjë borxh. Zhurma e bërë është politike.’ – deklaroi Doda.

Edhe Drejtoresha e Kulturës, Hafize Sallahi konfirmoi se vajza e saj ka fituar subvencion prej 2 mijë e 800 eurove por që refuzoi se ka kërcënuar asamblisten e VV-së.

“Është e vërtetë që vajza ime ka qenë përfituese e subvencioneve. Mesazhi ka qenë komunikues e jo kërcënues. Nëse është shkel ndonjë rregull, janë rrugët ligjore. Nuk i kam thënë që i vijë te shtëpia. I kam thënë: burri do të kërkoj nga prindi yt që mos me m’i përdorë fëmijët’. Nëse kjo e ka marr si kërcënim, publikisht i kërkoj falje” – deklaroi Sallahi.

Tutje edhe Drejtori i Financave, Bahri Selimi konfirmoi se vëllai i gruas së tij ishte përfitues i subvencioneve.

‘Nuk e di kur ka apliku, nuk më ka tregu mu. Është e drejtë e tij me apliku sepse është qytetar i këtij vendi’ – deklaroi Selimi.

Më pas, ai shtoi se edhe babai i asamblistes së VV-së, Ernesta Krasniqi është përfitues i subvencioneve në bujqësi.

‘Është normale me marr subvencion. Edhe Ernesta, asamblistja e VV-së që na ka akuzu- te sektori i bujqësisë ka marr subvencion prindi i saj’ – shtoi Selimi.

Asamblistja Krasniqi në anën tjetër konfirmoi se edhe babai i saj mori subvencion nga Komuna e Kaçanikut.

“Po, prindi im ka marr subvencion nga bujqësia, multikultivator, mirëpo prindi im nuk e ka vajzën drejtoreshë dhe nuk është konflikt interesi. Kush më siguron që tek subvencionet e bujqësisë nuk ka familjarë të ekzekutivit’ – tha Krasniqi.

Debati për subvencionet nuk përfundoi me kaq, asamblisti Rrustem Zenuni nga PDK deklaroi se ka edhe familjarë tjerë të opozitës që janë përfitues.

‘Është edhe vëllai i shefit të VV-së, që për mua nuk është asgjë sepse iu ka nënshtru procedurave ligjore dhe i ka plotësu kriteret’ – deklaroi Zenuni.

Agim Mani, shef i grupit parlamentar të VV-së në Kaçanik pranoi që vëllai i tij ka qenë përfitues, megjithëse nuk i ka plotësuar kriteret.

‘Edhe vëllai im ka marr subvencione, e vërteta është që ka marr subvencione, vëllai im nuk e ka meritu me marr subvencione por këta ia kanë dhënë. Nuk e ka meritu, nuk i ka plotësu kriteret’ – tha Mani.