Ish-presidenti republikan, Donald Trump, kandidat i republikanëve në zgjedhjet presidenciale të 05.11.2024, prin me 47% të përkrahjes kundrejt rivales demokrate, zëvendëspresidentes Kamala Harris, me 45%, kanë treguar rezultatet e një sondazhi të kryer nga gazeta “Wall Street Journal”.
Reuters raporton se anketimi i gazetës njujorkeze kishte anketuar 1.500 votues të regjistruar prej 19 deri më 22.10.2024 me një margjinë gabimi plus, ose minus 2.5% të pikëve të përqindjes.
Më pak se dy javë para zgjedhjeve të pesë nëntorit, gara ka nisur të bëhet përherë e më fortë, me rivalët që kanë ashpërsuar edhe gjuhën e akuzave dhe kundërakuzave.
Harris ka thënë të mërkurën, sipas kohës lokale amerikane, se beson që Trumpi “është fashist”, duke iu referuar përmbajtjrs së intervistës së ish-shefit të kabinetit të Shtëpisë së Bardhë të presidencës së Trumpit. John Kelly ka thënë në një intervistë se Trumpi më shumë e çmonte besnikërinë personale se detyrimin që zyrtarët kishin të vepronin sipas kushtetuës amerikane, raporton AP. Kelly ka thënë gjithashtu se Trumpi e kishte lavdëruar Adolf Hitlerin.
Kelly ka thënë në intervista për “The New York Times” dhe “The Atlantic” se Trumpi përfaqëson definicionin e një fashisti, duke theksuar se gjatë kohës sa ishte president Trumpi kishte sugjeruar se lideri nazist “kishte bërë punë të mira”.
Harris, duke për CNN-në ka thënë se kjo tregon se çfarë Trumpi “në të vërtetë është”, duke alarmuar për zgjedhjen eventuale të rivalit të saj si komandant suprem i Shteteve të Bashkuara.
Kur është pyetur nëse besonte se Trumpi është fashist, Harris është përgjigjur dy herë: “Po, besoj”. Më vonë ka thënë se nëse Trumpi do të zgjidhej, “do të ishte një president që adhuron diktatorët dhe që është një fashist”.
Fushata e Trumpit i ka hedhur poshtë pretendimet e Kellyt, duke theksuar se ato janë rrena.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com