Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur aksionin e Policisë se Kosovës më 07.10.2024 në veri, ku sipas tij, u sekuestrua armatim dhe pajisje për trazira e për prodhim të jashtëligjshëm të kriptovalutave.
Sipas tij, ky është edhe një rast shtesë që dëshmon se po zgjatet lista e kriminelëve e terroristëve që po strehohen në Serbi.
“Mirëpres aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veriun tonë, që rezultoi me sekuestrimin e armatimit të shumtë e të ndryshëm, të pajisjeve për trazira e të pajisjeve për prodhimin e jashtëligjshëm të kriptovalutave, duke u parandaluar kështu sulme të mundshme ndaj zyrtarëve tanë, qytetarëve apo institucioneve tona. Ky është edhe një rast shtesë që dëshmon se po zgjatet lista e kriminelëve e terroristëve që po strehohen në Serbi”- ka thënë ai.
Sveçla tutje ka thënë se beteja në luftën ndaj terrorizmit po vazhdon pandalshëm.
“Vendi ynë nuk do të jetë asnjëherë strehë e kriminelëve e terroristëve që cënojnë sigurinë e qytetarëve, zyrtarëve apo institucioneve tona”- ka shkruar ai në Facebook.
Policia e Kosovës ka kryer bastisje në Mitrovicë të Veriut më 07.10.2024.
Sipas Policisë, dy persona të dyshuar – njëri me iniciale A.J. i lindur më 1992 dhe V.J. i lindur më 1978, nuk janë hasur në shtëpi, por tashmë janë shpallur në kërkim.
Granata dore, radiolidhje e anti-plumba janë sekuestruar në këtë bastisje.