Brenda hapësirave të shkollave në Vushtrri tek nxënësit Policia ka gjetur dhe sekuestruar një thikë, dy cigare elektrike, dy maska dhe dy bankënota nga 200 euro të falsifikuara.
Këto mjete Policia në Vushtrri i ka gjetur te nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta dhe shkollave të mesme të larta, në kuadër të një kontrolle më 17.10.2024.
“Mbi bazën e vlerësimit me qëllim të parandalimit janë zbatuar masa sigurie përmes urdhër- kontrollit në bazë urdhëresës së lëshuar nga Gjykata kompetente me ç raste janë kontrolluar mbi 3400 nxënës, të shkollave të mesme të ulëta dhe të larta në Vushtrri” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 18.10.2024.
Provat e gjetura materiale Policia njofton se i janë paraqitur prokurorit kompetent, e për dy bankënotat e falsifikuara është iniciuar rast për vepër penale – falsifikim i parasë.
Si përfundim, Policia thekson se mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ndërsjellë me autoritetet e shkollave në parandalimin dhe ofrimin e sigurisë në shkolla.
Këtë javë, një armë zjarri, dy thika dhe një boks hekuri janë gjetur nga Policia e Kosovës në një autobus i cili kryesisht bartë nxënës të shkollave të mesme, në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj.